Transmetuar më 22-05-2018, 10:44

Është e vështirë të parashikohet nëse do të shpërthejë lufta, por Suedia dëshiron të sigurohet që popullsia e saj të jetë e përgatitur gjithmonë për më të keqen.

Qeveria suedeze po rishikon një broshurë mësimore udhëzuese për 4.8 milionë familje në vend duke i informuar ata për herë të parë pas 30 vitesh për rreziqet e luftës.

Broshura që mban titullin “Nëse kriza ose lufta vjen” është përpiluar nga Agjencia Suedeze e Përgjegjësisë Civile, MSB dhe udhëzon civilët se çfarë duhet të bëjnë “nëse jeta e tyre e përditshme një ditë kthehet me kokën poshtë”.

Broshura siguron informacione për çdo gjë, se si të identifikohen lajme të rreme dhe si njerëzit të përgatiten ndaj kushteve ekstreme të motit, apo për atë se çfarë duhet të bëjnë në rast të sulmeve terroriste apo agresioneve ushtarake.

Broshura prej 20 faqesh me ilustrime të ushtarëve në front lufte, njerëz që ikin nga zona të fatkeqësive dhe ekipe që ndihmojnë njerëz në nevojë e të plagosur, është një përditësim i një versioni të prodhuar së pari gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe i fundit i lëshuar në vitet 1980.

“Të gjithë kemi përgjegjësi për sigurinë e vendit tonë dhe duhet të jemi të përgatitur për këtë”, tha në një deklaratë Drejtori i Përgjithshëm i MSB-së Dan Eliasson, shkruan faqja suedeze “The Local”.

Broshura vjen pas faktit se Suedia është një vend që mban anën e NATO-s në raport me Rusinë e se agresioni rus është shtuar kohët e fundit.

Suedia ka investuar shumë në strategjinë e saj të mbrojtjes në të gjithë vendin, duke rifutur rekrutimin ushtarak dhe gjithashtu duke pozicionuar trupa në ishullin strategjik të Gotlandit.

Vendimi për të rritur shpenzimet e mbrojtjes me 720 milionë dollarë gjatë pesë viteve është marrë në shkurt të vitit 2015. Elita ushtarake e Suedisë përfshin 1000 persona.

Në maj 2017, ministri suedez i Mbrojtjes Peter Hultqvist i tha CNN: “Regjimi rus ka treguar se janë të gatshëm të përdorin fuqitë ushtarake për të përmbushur qëllimet politike”.

Broshurat do të shpërndahen në 13 gjuhë të ndryshme midis 28 majit dhe 2 qershorit gjatë Javës së Gatishmërisë Emergjente të Suedisë. /d.xh/noa.al