Transmetuar më 21-05-2018, 20:12

Skepticizmi i shprehur nga presidenti francez Emmanuel Macron për zgjerimin e Bashkimit Evropian është pritur me mjaft shqetësim në Tiranë, pasi Shqipëria është në pritje të çeljes së negociatave të anëtarësimit.

Por, deklaratat e Macron kanë tërhequr vëmendjen edhe të ithtarëve të zgjerimit. Një prej tyre është edhe eurodeputeti Eduard Kukan.

Ai ka dalë kundër mendimit të presidentit francez teksa ka thënë se “pa Ballkanin Perëndimor Evropa nuk është e plotë”.

“Qëndrimi i Macronit është vetë një nga pikëpamjet në bisedimet për të ardhmen e BE-së. Kjo është një nga idetë e tij me të cilën unë thellësisht nuk pajtohem dhe jam kundër qëndrimeve të Macronit. Gjermania për shembull ka pikëpamje tjera për reformat në eurozonën”, ka deklaruar Kukan.

Ai ka thënë se BE duhet të jetë e ndershme me vendet e Ballkanit. Sipas Kukan, nëse vendet kanë përmbushur kriteret, edhe BE duhet të mbajë zotimet e veta.

“Duhet të jemi më të përgjegjshëm ndaj miqve tanë në Ballkanin perëndimor. Nëse nga vendet kandidate kërkojmë që të plotësohen kërkesa të caktuara, atëherë edhe ne duhet t’i mbajmë premtimet tona”, ka theksuar Kukan./a.m./noa.al/