Transmetuar më 21-05-2018, 19:03

Zv.kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të kryeministrit Rama.

Ai ka deklaruar se kjo qeveri, është vetëm struktura e dukshme e një rrjeti kriminal që sipas tij ka marrë frenat.

“Qeverisja është struktura më e dukshme e një rrjeti kriminal. Po e përdor pushtetin për t’i kthyer reston grupeve dhe rrjeteve që tjetërsoi votën në mënyrë të dhunshme, që kriminalizoi zgjedhjet e fundit”, deklaroi Luan Rama.

Referuar vendimit të Gjykatës së Beratit, e cila rrëzoi kërkesën e LSI për marrjen nën hetim të kryeministrit lidhur me thirrjet për policët për sigurimin e votave në fushatën e 2017-ës, zv.kryetari i LSI tha se sistemi i drejtësisë është nën presion.

“Sot gjykata e Beratit dëshmoi se është nën presionin e keqbërësit Edi Rama, i cili paturpësisht kredon e vet elektorale e pasqyroi me thirrjen drejtuar policëve që të mbushnin me vota Partinë Socialiste. Nëse do të kishte ndodhur kjo në ndonjë vend tjetër, Kryeministrin do e kishin lidhur, fillimisht qytetarët, më pas drejtësia”, deklaroi më tej ai.

Sipas Luan Ramës, nuk është vetëm probemi i kanabist që ka sjellë qeveria “Rama”.

“Kanabizimi i vendit është vetëm një nga qasjet e qeverisë me krimin, pasi trafiku i saj, i prostitucionit janë të tjera elementë. Shqipëria konsiderohet vendi i pastrimit të parave dhe kjo tregon se cila është fytyra e qeverisë. Mendoj se kostoja e parë që do të paguhet është mosçelja e negociatave”, tha Luan Rama./a.m./noa.al/