Transmetuar më 21-05-2018, 18:05

Me argumentin se mashtroi me audio-përgjimin, Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar sot nga Prokuroria të nisë hetimet për Kryeministrin Rama.

Kryetari i grupit parlamentar, Petrit Vasili, tha në një dalje për mediat se Rama ka bërë manipulime në këtë proces.

“Përse kryeministri bën hetime?! Bën edhe manipulime paralele. Sepse është një mashtrim paralel i mirëfilltë. Ekzekutivi nuk ka të drejtë të bëjë hetimet, nuk heton kryeministri. Nuk e kanë bërë as shtetet e diktaturës të paktën për sy e faqe.

Prokuroria e cila nuk lëviz gishtin dhe i ka krijuar këtë komoditet kryeministrit, orë pas ore rëndon gjithmonë e më shumë pozitën e saj dhe po zhbën totalisht paanshmërinë e saj dhe integritetin e organit të akuzës. E vetmja që ka vënë perden e zezë syve, është prokuroria shqiptare, e cila duhet ta heqë sa më parë për të shpëtuar në radhë të parë veten e saj”.

Në mbyllje, Vasili ftoi qytetarët që për kët dhe arsye të tjera, të marrin pjesë në protestën e së shtunës, në 26 maj. /k.k/noa.al/