Transmetuar më 21-05-2018, 09:27

“Falenderojmë të gjithë ata që erdhën në kështjellën Windsor dhe gjithë ata që na ndoqën në të gjithë botën. Urime edhe njëherë për çiftin e ri!”

Me këtë mesazh në Twitter, familja mbretërore angleze falënderoi gjithë pjesëmarrësit në ceremoninë martesore të kësaj të shtune mes princit Harry dhe Meghan Markle.

Mijëra persona mbushën rrugët e Windsor për të ndjekur ceremoninë dhe shumë të tjerë e panë atë nëpërmjet televizioneve në të gjithë botën.

Festimet u mbyllën me një darkë në Frogmore House, pranë kështjellës Windsor, e organizuar nga babai i dhëndrit, princi Charles, në të cilën morën pjesë miq dhe të afërm të çiftit, rreth 200 të ftuar.

Si dhuratë dasme, princi Harry, i dhuroi nuses një unazë me gur të çmuar, që i përkiste nënës së tij, princeshës së ndjerë Diana.

Çifti i ri, të cilët tani do të mbajnë titullin duka dhe dukesha e Sussex, në fund të festimeve e kaluan natën në kështjellën e Windsor, ndërsa më pas do të transferohen Nottingham Cottage, të Kensington Palace.

Muaji i mjaltit të çiftit është shtyrë, ndërsa të martën Harry dhe Meghan do të kenë daljen e parë zyrtare si burrë e grua, në një event për të festuar ditëlindjen e 70-të të princit Charles, në Buckingham Palace.

Ndërkohë gjatë ditëve të ardhshme, Meghan do të emërohet ambasadore e të rinjve të Commonwealth, nga mbretëresha Elizabeth. /a.y/noa.al