Transmetuar më 20-05-2018, 10:43

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, vijon të flasë për akuzat ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Këtë herë, Taulant Balla ka deklaruar se pjesë e atij që e quan inskenim, janë edhe gjyqtarë të korruptuar.

"Në këtë inskenim janë të përfshirë, jo vetëm politikanë të korruptuar si Saliu, Monika, Luli etj, por janë të përfshirë edhe ndonjë gjyqtar i korruptuar, të cilët duke qenë se Vettingu do t’i pastrojë nga sistemi i drejtësisë, u munduan të shantazhojnë ministrin, të shantazhojnë qeverinë, për të mos lejuar vijimin e aksionit “Forca e Ligjit” dhe për të mos vijuar punën që kemi nisur", deklaroi Balla gjatë takimit në Librazhd, në kuadër të “llogaridhënies me qytetarët”.

Balla tha ndër të tjera se, nëse kjo histori do të ishte e vërtetë, reagimi do ishte i menjëhershëm dhe i ashpër.

“Ne do të kishim marrë masa të ashpra ndaj kujtdo nëse një e një mija e kësaj historie me babalen do të ishte e vërtetë.

Por gjithë ky inskenim shantazhi ndaj Fatmir Xhafës si ministër vjen për shkak të luftës pa kompromis që ky i fundit i ka shpallur krimit të organizuar”, tha Balla. /k.k/noa.al/