Transmetuar më 19-05-2018, 10:57

Deputetja demokrate Albana Vokshi, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Medias, deklaron se agresioni ndaj medias është nevoja e Edi Ramës për të mbuluar skandalin Xhafaj, ku njëri vëlla është trafikant, tjetri Ministër i Brendshëm në funksion të trafikantit.

Në një dalje për mediat nga selia blu paraditen e sotme, Vokshi tha se një gazetare e re, Ambrozia Meta, e televizionit po ashtu të ri, Fax Neës, është kthyer në kryefjalën e ditës, sepse me këmbëngulje i bëri kryeministrit pyetjet që donte t’i bëntë çdo shqiptar i ndershëm.

Sipas saj, me kurajo Ambrozia nuk pranoi të shantazhohej prej Edi Ramës.

“Me qetësi dhe profesionalizëm, Ambrozia ia doli të nxjerrë para shqiptarëve fytyrën e vërtetë të Edi Ramës: atë të një kryeministri që shantazhon, kur nuk ble dot, që kërcënon për të mbuluar pafuqinë e tij, që largohet, kur nuk përballet dot me të vërtetën!

E vërteta është se Edi Rama e ka lënë sigurinë e shqiptarëve në dorën e krimit të organizuar! E vërteta është se Edi Rama shantazhon mediat dhe gazetarët që e përballin publikisht me realitetin e bashkëqeverisjes së tij me krimin, duke i rrëzuar fasadën e shndritshme që i ka kushtuar qindra milionë euro”, u shpreh Vokshi.

Ajo shtoi se përballja e turpshme e Edi Ramës me Ambrozian, që i kërkonte llogari pse nuk emëronte ministra të brendshëm pa lidhje me krimin dhe drogën, ishte momenti kur shqiptarët panë sesi kryeministër i vendit është Agron Xhafaj, janë Habilajt dhe Balilajt.

Në këtë linjë tha se, agresioni i djeshëm i Edi Ramës kundër gazetares së re dhe televizionit që ajo përfaqëson nuk është si dhjetëra rastet e tjera që Edi Rama ka tallur, fyer dhe ka nëpërkëmbur gazetarët.

Agresioni i djeshëm ndaj medias, sipas deputetes demokrate, ishte nevoja jetike e Edi Ramës për të mbuluar skandalin “Xhafaj” dhe, nëpërmjet shantazhit e kërcënimit, të fshehë të vërtetën e dy vëllezërve: njëri, Agron Xhafaj, bos i drogës dhe i krimit të organizuar në Vlorë, tjetri, Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm, që ka vënë Policinë e Shtetit në shërbim të të vëllait trafikant.

“Sot, ju ndoshta prisni fjalinë e zakonshme se Partia Demokratike dënon shantazhet dhe kërcënimet e kryeministrit nga gazetarëve dhe medias! Por sot kjo është e tepërt! Nuk kanë kaluar 24 orë nga qëndrimi dinjitoz i Ambrozias përballë shantazhit të kryeministrit dhe video është bërë virale! Janë me mijëra e mijëra shqiptarët që e kanë shpërndarë videon në rrjetet sociale, duke përgëzuar gazetaren e re kurajoze. Ky është dënimi më i madh për Edi Ramën!”, deklaroi Albana Vokshi.

Ndër të tjera tha se, shumica e shqiptarëve të ndershëm nuk duan të qeverisen nga pakica e krimit, që është kthyer në pengesën kryesore për Shqipërinë Europiane.

“Të bashkohemi në protestë të shtunën, më 26 Maj, sepse tani është koha të mos e lëmë fatin e Shqipërisë europiane në duart e qeverisë më anti-europiane”, tha në mbyllje Albana Vokshi. /a.y/noa.al