Transmetuar më 19-05-2018, 10:00

Presidenti Ilir Meta mëngjesin e sotëm është takuar me fëmijë dhe të rinj jetimë në kuadër të 20 majit, “Ditës Kombëtare të Jetimëve”.

Kreu i Shtetit, zhvilloi një bisedë të ngrohtë me fëmijët dhe të rinjtë e pranishëm, duke ju shprehur mbështetjen e tij të pakursyer, teksa vlerësoi edhe sloganin që kishin zgjedhur: ‘Shqipëria pa jetimë edhe më pranë BE-së’.

 “Që kur kam marrë detyrën si President e kam bërë të qartë që kujdesi ndaj fëmijëve jetimë do të jetë prioritar. Ju me të drejtë keni sjellë me vete edhe sloganin ‘Shqipëria pa jetimë edhe më pranë BE-së’. Besoj që kjo është një gjetje shumë domethënëse dhe e mençur. Ne në fakt kemi qenë një komb jetim për një kohë të gjatë derisa kemi gjetur veten dhe besoj se tani nuk jemi një komb i tillë, jemi një komb shumë më i sigurt për të ardhmen e tij. Jemi anëtarë në NATO, jemi pranë Bashkimit Evropian dhe shpresojmë të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian”, u shpreh Meta.

Ai tha se puna që është bërë gjatë këtyre viteve në mbështetjen dhe përkrahjen e fëmijëve jetimë ka qenë një punë e mirë, me përkushtim, me modele shumë pozitive, të cilat tregojnë që ne jemi një shoqëri që po merr gjithnjë e më shumë përgjegjësi sociale por që ka ende nevojë ta forcojë këtë dimension social dhe njerëzor.

“Duhet të marrim më shumë përgjegjësi për të krijuar një ambient më të sigurtë, më frymëzues e më angazhues për të rinjtë e për fëmijët që ëndrrat e tyre t’i shohin të realizueshme pikërisht në këtë mjedis. Secili mund të ketë një fatkeqësi apo aksident në jetë. Kjo nuk varet nga asnjë prej nesh. Por ajo që varet prej nesh është që ta duam jetën, të mos dorëzohemi para vështirësive dhe jo vetëm kaq, por t’i sfidojmë këto vështirësi dhe të arrijmë vërtet të kontribuojmë në shoqëri me aftësitë tona, me talentin”, deklaroi Meta.

Presidenti u tha fëmijëve jetimë se do të jetë pranë tyre për çdo aktivitet, mbështetje, promovim, për çdo ndërgjegjësim me çdo institucion shtetëror apo vendor për gjithçka që do të kenë nevojë. /a.y/noa.al