Transmetuar më 18-05-2018, 20:29

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, akuzon kryeministrin Edi Rama se mashtroi me ekspertizën e videopërgimit të "dëshmitarit X" kur tha se ajo ishte e rreme.

I ftuar në studion e Report Tv, Vasili kërkoi nga organi i akuzës të marrë në hetim kreun e qeverisë për mashtrim dhe shpërdorim detyre, ndërsa qëndrimin e kryeministrit, i cili tha se videopërgjimi ishte mashtrim, e cilësoi marrëzi të Ramës.

"Ka një videopërgjim që thotë se vëllai i ministrit merret me trafiqe. Nuk është vetëm ajo audio, kemi ngjarjet e fundit inkriminuese, largimi misterioz i vëllait të ministrit. Kur kanë kaluar 16-vjet, pse ndodhi tani që u denoncua kjo? Kur dolën këto çështje të mëdha, ky audiopërgjim, doli kryeministri dhe e mohoi. S’dihet me ç’a parash iu bë ekspertiza nga kryeministri, nga paratë e ndonjë pikture të shitur.

Prokuroria është në një faj të madh publik, si i ka dhënë përgjimin kryeministrit audiopërgjimin origjinal.  Prokuroria ka rënë në një proces të madh publik.  Ai nuk mund të rrijë më, prokuroria duhet të nisë hetimet ndaj tij për shpërdorim detyre.

Prokuroria të hetojë cila ishte arsyeja që kryeministri ndërmori përgjegjësinë publike të mashtronte dhe të thoshte që unë kam  bërë një verifikim timin. Mbi ç’përgjegjësi, nga cila dispozitë e sistemit shtetëror shqiptar i lindi kryeministrit të bëjë punën e prokurorisë. Përfundimisht mashtroi, nëse i kanë dhënë provën origjinale duhet të shkarkohen prokurorët. Nëse ai thotë se këto prova mi ka dhënë Prokuroria, kemi të bëjmë me një shkatërrim të sistemit ligjor. Kush është agjencia? Si mund të fshihet agjencia? Si mori përsipër të gënjejë shqiptarët? Asnjë agjenci nuk e bën për ty ditë duke mos pasur provat autentike, provat origjinale. Qeveria thotë shqip, kryeministri e mori përsipër këtë, se në fakt është një çikë i marrë, futet në disa gjëra që s’duhet…thuhet se është montazh, por ja që doli ky (Albert Veliu) dhe shkuan edhe e kërcënuan. Kështu që audiopërgjimi ekzistonte", tha Vasili.

Sa i takon protestës së opozitës në 26 maj, Vasili u shpreh se qëllimi është pastrimi i elementëve të krimit nga qeveria.

"Protesta e 26 majit ka objektiva politike, qeveria duhet të pastrohet nga elementët e krimit. Do kërkojmë hesape për sistemin e drejtësisë të rënë", tha ai.