Transmetuar më 18-05-2018, 14:14

Opozita pritet tu rikthehet protestave pas denoncimeve për vëllain e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Pas një takimi në selinë blu me krerët e partive aleate, lideri i opozitës Lulzim Basha u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së opozitës e cila do të mbahet të shtunën në 26 Maj në Tiranë.

“Ju ftojmë të bashkohemi në protestë për largimin e Fatmir Xhafajt. Sot duhet të kemi një Ministri të Brendshme dhe polici që u shërben njerëzve. Ne duam një polici ku Vettingu të fillojë nga ministri i Brendshëm te polici më i thjeshtë, ku nuk kanë asnjë lidhje me kriminelët, as polici dhe as ministri”, deklaroi Basha.

Ai ftoi edhe socialistët të bëhen pjesë e protestës e cila sipas Bashës ka si synim largimin e politikanëve të lidhur me krimin.

“Të gjithë ne, pavarësisht se cilës parti i përkasim, pavarësisht se ku jetojmë, jemi në radhë të parë shqiptarë. Mbi të gjitha ne duam vendin tonë. Një Shqipëri pa krim, një Shqipëri pa drogë. Nuk mund të humbasim më kohën duke u marrë me kriminelin e radhës. Është koha tu themi ndal politikanëve të lidhur me krimin. Ju ftoj në protestë edhe juve, socialistë të ndershëm, që partinë ua ka lënë peng kriminelëve Edi Rama”, iu drejtua Basha socialistëve.

Vendimi i opozitës për protestë erdhi pas publikimit të një audio-përgjimi ku sipas saj vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj dëgjohet duk bërë pazare droge.

Në një material të dytë, PD publikoi identitetin e “dëshmitarit X”, ku ai pranon se gjithçka dëgjohet në audio-përgjim është autentike. Ai deklaroi se ka qenë pjesë e grupit të trafikut që drejtohej nga Agron Xhafaj./a.m./noa.al/