Transmetuar më 18-05-2018, 13:35

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një konferencë për mediat nga aeroporti i Rinasit në kthim nga aamiti i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor, i mbajtur këtë të enjte në Sofje.

Kreu i qeverisë tha se është e qartë se ndodhemi në një fazë ku axhendat nuk përkojnë plotësisht, madje siç tha ai, përkojnë pak.

Sipas tij, axhenda e objektivave të mëtejshëm të integrimit me axhendën brenda BE, me objektivin e reformimit që është një axhendë në një situatë shumë kaotike dhe si pasojë ka pak qartësi se si do të shkohet në rrugën e reformimit të BE, nëse do të shkohet në këtë rrugë.

Kryeministri tha në komunikimin e mesditës së sotme, se dihet se proceset e Bashkimit Europian janë të komplikuara, si rezultat i 27 vendeve që nuk bien dakord për gjithçka thuhet apo bën.

Në këtë linjë deklaroi se BE është në kulmin e një debati të brendshëm, që nuk ndihmon për objektivin.

“Unë i qëndroj bindjes se në fund të qershorit ne do të kemi një artikulim pozitiv për negociatat. Se si do të jetë artikulimi, këtë nuk jam në gjendje ta them sot! Por përpjekja jonë është te kapërcimi i këtij momenti për të hyrë në një fazë të re. Të marrim dritën jeshile dhe pastaj të shohim se si do të përcaktohet rruga. Erërat kundër zgjerimit brenda BE nuk mungojnë dhe duke qenë se nuk është një vendimmarrje me shumicë, pasi mjafton që vetëm një vend i vetëm të jetë kundër dhe procesi të jetë i vështirë”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se ndodhemi në një fazë dialogu intensiv dhe ajo që është pozitive është se kemi edhe një zbërthim të dialogut të niveleve më të larta. /a.y/noa.al