Transmetuar më 18-05-2018, 12:11

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka reaguar për herë të parë pas publikimit të Partisë Demokratike të dëshmisë së Albert Veliut, personit që selia blu pretendon se dëgjohet duke bërë pazare droge me vëllain e ministrit në audio-përgjimin e publikuar më herët.

Në dëshminë e tij i ashtuquajturi “dëshmitari X” deklaronte se gjithçka që dëgjohej në audio-përgjim ishte e vërtetë, dhe se ai ka qenë pjesë e grupit të trafikut të drejtuar nga Agron Xhafaj.

Lidhur me këto deklarata, ministri Xhafaj kishte të njëjtin qëndrim teksa tha se kemi të bëjmë me sajesa të Partisë Demokratike.

“Dua t’ju them që këtu jemi në vendin e task-forcës, kurse atje jemi në vendin e sajesave dixhitale. Detyra e tyre është të punojnë për ‘qytetarin dixhital’ të Saliut”, deklaroi Xhafaj pas interesit të gazetarëve lidhur me këtë çështje.

Këtë deklaratë ai e dha pas vizitës që bëri së bashku me ambasadoren gjermane Suzanne Schutz në zyrat të Task-Forcës e cila operon në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”. Pas vizitës, ambasadorja deklaroi se lufta kundër krimit mbetet prioritet për integrimin.

“Dua të theksoj që lufta kundër krimit është një nga prioritetet kyçe në drejtim të integrimit në BE”, tha ajo.

Ndërkohë ministri Xhafaj deklaroi se shumë shpejt mes dy vendeve do të finalizohen operacione me ndjeshmëri për publikun.

“Ne kemi disa çështje. Janë çështje shumë të ndjeshme edhe për publikun shqiptar. Oficerët e policisë gjermane janë duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për të pasur rezultat për publikun shqiptar e gjerman. Shqiptarët nuk janë nga pikpamja e statistikave ndër vendet, që zënë, kanë peshë jo të rëndësishme në krimin e zhvilluar në territorin gjerman nga të huajt. Shqiptarët janë në vendin e 15-të ndër të huajt për kriminalitetin në Gjermani”, vijoi Xhafaj./a.m./noa.al/