Transmetuar më 17-05-2018, 12:19

Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo i shprehu homologut të tij Katarian Sheikh Muhamed bin Abdul Rahman Al Thani, gjatë një bisede telefonike mes tyre dje të mërkurën-vullnetin e Presidentit të SHBA-ve Donald Trump për të gjetur sa më parë një zgjidhje për krizën e Gjirit, duke shtuar se “vazhdimi i kësaj krize i shërben Iranit”.

Sipas deklaratës së Departamentit të Shtetit, z. Pompeo vlerësoi partneritetin strategjik midis Katarit dhe Shteteve të Bashkuara, dhe mbajtjen e bazës ajrore amerikane në Al Udeid (Katar). Ai vlerësoi gjithashtu përpjekjet e vazhdueshme të Katarit në luftën kundër terrorizmit dhe financimit të tij.

Ndërsa Agjencia e Lajmeve të Katarit (QNA), njoftoi se Ministri i Jashtëm Al Thani diskutoi me homologun e tij amerikan marrëdhëniet dypalëshe dhe strategjike mes dy vendeve dhe mënyrat e forcimit të mëtejshëm së tyre, si dhe shqyrtuan një sërë çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët.

Mike Pompeo, pati theksuar edhe gjatë një konference shtypi të përbashkët me homologun e tij saudit Al Jubeir më 29 Prill në Rijad, rëndësinë e unitetit mes shteteve të Gjirit dhe nevojën për të sheshuar të gjitha mosmarrëveshjet mes tyre.

Në këtë kontekst, Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert tha këtë të hënë, se Mike Pompeo shpreson që palët në konfliktin e Gjirit të hyjnë në një “dialog konstruktiv” para se të mbahet samiti mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe udhëheqësve të gjashtë vendeve të Gjirit, në Kamp David.

Shtëpia e Bardhë e shtyu këtë samit që pritej të mbahej në muajin Maj, për në Shtatorin e ardhshëm.

Kjo lëvizje e SHBA përkon me përpjekjet që po ndërmerr Kuvajti në lidhje me krizën e Gjirit, ku Emiri Sheikh Sabah Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, iu dërgoi së fundmi udhëheqësve të vendeve të Gjirit letërmesazhe për të gjetur pika të përbashkëta që mund të lehtësojnë arritjen e një zgjidhjeje.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë, më 5 Qershor 2017, marrëdhëniet diplomatike dhe vendosën një bllokadë totale ndaj Katarit nën akuzën e mbështetjes së terrorizmit, akuzë për të cilën vendet e bllokadës ende nuk kanë sjellë prova për të mbështetur pretendimet e tyre, edhe pas kalimit të gati një viti.