Transmetuar më 16-05-2018, 17:22

Kryetari i Partisë Demokratike ka reaguar këtë pasdite mbi qëndrimin që mbajti Kryeministri Rama për pretendimet e PD-së mbi ministrin e Brendshëm.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Lulzim Basha thotë se Edi Rama e di përfshirjen e Fatmir Xhafës në krim, por po e mbron atë paturpësisht.

“Edi Rama e di se përgjimi është i vërtetë dhe se Agron Xhafaj ka vazhduar trafikun e drogës, veçanërisht gjatë kohës që i vëllai është Ministër i Brendshëm. Materiali audio provoi se Agron Xhafaj nuk bën një jetë normale, por është drejtues i trafikut të drogës, nën mbrojtjen e të vëllait Ministër i Brendshëm.

Këtë fakt nuk e mohoi dot as vetë Edi Rama sot, sepse ai e di që Agron Xhafaj është një nga kokat e krimit. Edi Rama ka mjaftueshëm informacion për fuqinë e Agron Xhafajt mbi policinë e Vlorës, Policinë e Shtetit dhe rrjetit të tij kriminal në Vlorë”, thuhet në deklaratë.

Basha e quan farsë të Edi Ramës marrjen e zërit të Agron Xhafës, vëllait të ministrit të Brendëhëm, nga ana e prokurorisë.

Ai thotë se “shqiptarët duan të dëgjojnë vetë zërin e Agron Xhafajt dhe jo të dëgjojnë prej Edi Ramës rezultate ekspertize nga laboratorë pa emër apo nën pushtetin e tij”.

Më tej, Basha deklaron se “Edi Rama sot mori rolin e ekspertit audio, të prokurorit dhe të gjyqtarit që do të burgosë opozitën, por jo të kryeministrit që, më e pakta që duhet të bënte, ishte t’i kërkonte Ministrit të tij të Brendshëm të mbante përgjegjësi pse nuk ka zbatuar ligjin antimafia dhe ta largonte atë”.

Basha shprehet edhe për integrimin ku e quan paradoks faktin se pas çdo çdo skandali që plas në qeveri, Rama e gjen fajin te opozita si pengesë për integrimin. /k.k/noa.al/

​