Transmetuar më 16-05-2018, 13:31
Publicitet

Sportistët shqiptarë përherë e më shumë po shkëlqejnë në disiplinat e forcës. Kombëtarja shqiptare ka arritur rezultate mjaft të mira në Kampionatin Ballkanik të Ndeshjeve të Lira, një kategori kjo e sportit të “Kick Box-it”.

Në këtë event të mbajtur në Serres të Greqisë në datat 12 dhe 13 Maj, kombëtarja shqiptare u rendit e dyta, duke fituar 10 medalje në total.

Por ajo që shkëlqeu më shumë në këtë event ishte sportistja Anxhela Aliaj, e cila u shpall kampione e Ballkanit në kategorinë 66 kilogramë. Ky është titulli i dytë radhazi që siguron për Shqipërinë sportistja e re.

Triumfi i saj merr edhe më shumë vlerë pasi ajo mundi në finale sportisten greke Tsobani Anna, e cila është kampione bote në këtë nivel të “Kick Box-it”.

Sportistja Aliaj u shpreh mjaft entuziaste për triumfin dhe premtoi të tjerë tituj të rëndësishëm për vendin e saj./a.m./noa.al/