Transmetuar më 16-05-2018, 13:07

Kryeministri Edi Rama mori pjesë ditën e sotme në prezantimin e projektit për transformimin dhe rijetëzimin e Piramidës në një qendër të madhe IT për të rinjtë.

Në fjalën e rastit, kreu i qeverisë tha se projekti ka arritur të zgjidhë një pikë kyçe të sfidës që gjatë gjithë kësaj kohe nuk zgjidhej, midis rilindjes së kësaj godine dhe funksionit të saj.

“Kemi pasur shumë diskutime me lali Erin për të zgjuar Tiranën nga gjumi dhe vazhdimisht pyetja ishte se çfarë mund ta mbajë gjallë godinën? Në fund erdhëm te pika që kjo godinë duhet tu shkonte atyre që kanë nevojë shumë më tepër se të tjerët, fëmijët dhe të rinjtë”, u shpreh Rama.

Por ai kujtoi se kryebashkiaku Erion Veliaj kërkonte që Piramida të kthehej në qendër të të rinjve trendy të Tiranës, por shtoi se ai insistonte për fëmijët dhe se “kjo është më shumë meritë e Zahos se e imja”.

Madje ai deklaroi se tashmë ndjen nevojën për të forcuar edhe passwordet e tij, për shkak të të birit.

Rama tha se Piramida është sot një vend ku mund të shihet se çfarë kanë bërë shqiptarët në 20 e kusur vite, një ngrehinë e shkatërruar, ku ndërronin ca xhama njëri, e ca pllaka tjetri.

Ai hoqi paralele mbi atë çfarë kanë bërë gjithë qeverisjet duke thënë se “Kjo godinë është fytyrë e qeverisjeve”. /a.y/noa.al