Transmetuar më 16-05-2018, 11:41
Publicitet

Kryeministri Edi Rama e cilëson një maskaradë të vërtetë gjithë linjën e akuzave të opozitës për vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Ai tha se del që edhe ministri i Brendshëm është kryetari i familjes së dytë mafioze në Ballkan, madje edhe në Europë pasi ka mbajtur fshehur prej gjashtë vitesh dënimin e të vëllait në Itali, për një vepër të kryer 15 vjet më parë.

“Ministri diversant i krimit të organizuar, ka ndryshuar një nen klandestin për mos lejuar ekstradimin e vëllait të tij në Itali. Madje ministri i Brendshëm ka fshehur dënimin, i cili gjendet online për të mbrojtur vëllanë nga ekzekutimin i dënimit. Hataja që ka gjetur punët e brendshme të vendit është ku e ku më e madhe, se vetë kreu është pjesë e një organizate kriminale, ku vëllai i tij u kap në një bashkëbisedim kriminal me një bashkëpunëtor të quajtur X”, u shpreh Rama duke thënë se kjo “provë” mori dhenë e mediave tona dhe tërë kanaleve opozitare, për një ngjarje të nxjerrë më parë.

Sipas tij, e gjitha do të ishte një parodi për të qeshur, nëse këto akte nuk do kishin helmuar gjakun e shqiptarëve dhe nuk do të kishin baltosur Shqipërinë, para disave jashtë vendit që mezi presin pseudo argumente të reja kundër çeljes së negociatave dhe nuk do të kishte një operacion destabilizues për qeverinë e këtij vendi.

“Kjo është një maskaradë e vënë në skenë për ti thënë Europës se ky është një vend ku ministri i Brendshëm është vetë organizata e krimit të organizuar dhe drogës. Dhe për sa kohë që Rama të jetë në qeveri do të ketë vetëm eksponent të inkriminuar”, deklaroi Edi Rama.

Kryeministri tha se opozita ka marrë përgjegjësinë e autencititetit të videos, por se ai ka kërkuar eksperiencën shkencore të këtij materiali dhe mbledhjen e çdo informacioni të agjencive partnere lidhur me vëllanë e ministrit të Brendshëm.

Por ai shtoi se ndërkohë ka ndjekur me vëmendje edhe reagimet e njerëzve dhe se i ka bërë përshtypje ndër të tjera, një reagim i shprehur në mënyra të ndryshme në drejtimin të tij, ku në thelb përmblidhet “Mos e lëshoi dhe Fatmirin, siç lëshove Saimirin. E lëshove një ministër, mos lësho dhe këtë tjetër për të mbajtur karrigen tënde”.

Rama deklaroi se u përgjigjet të gjithëve duke thënë se mendon ndryshe:

-Së pari ne nuk jemi ata, as nuk jemi si ata dhe as nuk mund dhe nuk duhet kurrsesi të bëhemi si ata.

-Ne nuk jemi të rënë nga qielli, engjëj jo e jo! Nuk jemi as të pagabuershëm, as të pakritikueshëm dhe as të paprekshëm nga të këqijat që prekin njerëzit kur ulen në një karrige.

-Ne kemi një dallim themelor me ta, ne socialistët e mandatuar nga populli historikisht jo sot, por edhe sot, marrim përgjegjësi për vendin dhe mbajmë përgjegjësi për veten, ndërsa ata janë të papërgjegjshëm dhe e kanë lënë peng që prej viti 1991 të po një njeriu.

“Parimi i atij pengmarrësi (Sali Berishës) për thuajse 30 vjet me radhë është unë të ngre dhe unë të mbaj, mjafton të bësh atë që them unë, vri, pri dhe unë s’të lëshoj gjallë. Kjo kulturë është kultivuar si molë jo vetëm në oborrin e PD, por edhe në një pjesë të shoqërisë sonë të përçarë prej një stalinisti të etur për pushtet dhe lavdi prej bajraktari, për ne nuk ka qenë kurrë kështu”, deklaroi ndër të tjera Edi Rama. /a.y/noa.al