Transmetuar më 16-05-2018, 11:26

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste paraditen e sotme, deklaroi se Shqipëria e meriton çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

Rama bëri me dije se takoi Presidentin Emmanuel Macron këtë të martë, pas kërkesës së bërë përmes një letre personale për një takim sy më sy.

Ai tha se takimi zgjati jashtë parashikimit, për shkak të një bisede shteruese.

“Dëgjova nga Presidenti fjalë tejet inkurajuese për Shqipërinë, rolin e Shqipërisë në rajon, reforma në drejtësi, procesi i vettingut i gjykatësve dhe prokurorëve, reformimi i Policisë së Shtetit, bashkëpunimi me policinë franceze, arritjet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ai më tha se vendimmarrja e Francës është në studim e sipër, pasi sipas tij nuk është vetëm çështja e Shqipërisë dhe Maqedonisë, të cilat sipas tij meritojnë shumë për çfarë kanë arritur”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se vendimmarrja e Francës ndikohet nga politka e gjerë e Bashkimit Europian dhe flukset migratore që diktojnë një mendim të thelluar para marrjes së vendimit përfundimtar në qershor

“Por unë jam shumë më optimist pas takimit se para takimit. Ka ende javë dhe punë për të bërë, nuk do i lëmë gjë mangut kësaj përpjekje për interes të madh”, u shpreh Rama.

Ai akuzoi opozitën se ngre mur balte që opozita, duke mos lënë gur pa lëvizur, që ta sabotojë këtë përpjekje të krejt Shqipërisë.

Gjatë takimit të mbajtur në pallatin Elysee, Rama ka kërkuar nga Presidenti francez, votën pro hapjes së negociatave.

Kjo pasi disa shtete kanë shprehur skepticizëm në lidhje me hapjen e negociatave të Shqipërisë.

Mes vendeve skeptike është edhe Franca, për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve shqiptarë. /a.y/noa.al