Transmetuar më 16-05-2018, 11:25

Në Komisionin e Posaçëm të Apelimit u mbajt sot seanca ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Seanca në KPA u mbajt pasi Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e procesit të Vettingut për Llallën pasi ky i fundit u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë.

Në seancën e zhvilluar sot vetë Llalla nuk ishte i pranishëm. Ai u përfaqësua përmes avokatit të tij Sokol Hazizaj. Ky i fundit deklaroi para KPA se ka dy javë që nuk ka komunikuar me klientin e tij.

Nga ana tjetër, ai tha se ka gjithë tagrin për përfaqësimin e Llallës duke depozituar prokurën në komision. Ai deklaroi para komisionit se ka dy javë që nuk ka komunikuar me klientin e tij. Hazizaj u shpreh se komunikimet i ka pasur përmes familjarëve të tij.

Por KPA vendosi të shtyjë seancën duke i kërkuar avokatit të plotësojë prokurën.

Diskutimet mes avokatit dhe anëtarëve të KPA:

Sokol Çomo: Kur keni komunikuar për herë të fundit me të përfaqësuarin tuaj?

Avokati i Llallës: Para dy javësh.

Sokol Çomo: Keni komunikuar direkt?

Avokati i Llallës: Jo, përmes familjarëve, përmes bashkëshortes.

Sokol Çomo: Po direkt kur ka qenë komunikimi i fundit?

Avokati i Llallës: Më shumë se dy javë më parë.

Luan Daci: Keni tagër të mbroni këtë subjekt?

Avokati i Llallës: I kam të gjithë tagrat./a.m./noa.al/