Transmetuar më 16-05-2018, 10:54

Në Komisionin e Posaçëm të Apelimit mbahet sot seanca ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla.

Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që vendosi ndërprerjen e Vettingut për Llallën pasi ky i fundit u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë.

Në seancën e zhvilluar sot vetë Llalla nuk ishte i pranishëm. Ai u përfaqësua përmes avokatit të tij Sokol Hazizaj. Ky i fundit deklaroi para KPA se ka dy javë që nuk ka komunikuar me klientin e tij.

Nga ana tjetër, ai tha se ka gjithë tagrin për përfaqësimin e Llallës duke depozituar prokurën në komision.

Diskutimet mes avokatit dhe anëtarëve të KPA:

Sokol Çomo: Kur keni komunikuar për herë të fundit me të përfaqësuarin tuaj?

Avokati i Llallës: Para dy javësh.

Sokol Çomo: Keni komunikuar direkt?

Avokati i Llallës: Jo, përmes familjarëve, përmes bashkëshortes.

Sokol Çomo: Po direkt kur ka qenë komunikimi i fundit?

Avokati i Llallës: Më shumë se dy javë më parë.

Luan Daci: Keni tagër të mbroni këtë subjekt?

Avokati i Llallës: I kam të gjithë tagrat./a.m./noa.al/