Transmetuar më 15-05-2018, 22:38

Sindrit Guri do të vazhdojë karrierën në Belgjikë te KVV Oostende.

Lajmin e ka bërë të ditur klubi belg në faqen zyrtare, ku ka njoftuar se kanë arritur një marrëveshje me sulmuesin shqiptar për tri sezone.

“Njoftojmë se kemi arritur marrëveshjen me Sindrit Gurin, sulmues shqiptar që luan në Ligën e parë të Shqipërisë, me Kukësin, ku është edhe golshënuesi më i mirë”.

“Guri, 24 vjeç do të nënshkruaj për tre sezonet e ardhshme me klubin tonë, ndërsa këto ditë pritet të vijë për të kaluar testet mjekësore”, thuhet në faqen zyrtare të klubit belg.

Oostende luan në Jupiler Liga, elita e futbollit belg, dhe sezonin e fundit e ka mbyllur në vendin e 11.

Sulmuesi shkodran vlerësohet me fjalë të mira në Belgjikë dhe e shquajnë për 20 golat këtë sezon.

Drejtori sportiv i Ostendes, Hugo Broos, e ka ndjekur disa herë nga afër, po ashtu si edhe trajneri i ri i Ostendes, Gert Berheien.