Transmetuar më 15-05-2018, 12:14

Njësia administrative Pezë ka qenë ndalesa e radhës e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj gjatë turit të dëgjesave për bashkëqeverisjen me njerëzit.

Në takimin me banorë të kësaj njësie, kryebashkiaku Veliaj i shoqëruar dhe nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manasterliu dhe kryetarja e PS për Tiranën, Blerina Gjylameti, deklaroi se në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar kanë nisur bisedimet për rindërtimin e aksit Tiranë-Plepa që do t’i jepte kryeqytetit një hyrje të re, por njëkohësisht edhe një impuls të ri zhvillimit ekonomik të gjithë zonave ku kalon.

“Bashkë me ARRSH-në po gjejmë një fond për rrugën kombëtare Tiranë- Ndroq. Po të kemi të njëjtën frymë bashkëpunimi, siç kemi pasur në këto tre investime kryesore, do të ecim akoma më shpejt”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se njësia administrative e Pezës ka qenë dëshmitare e një numri investimesh të cilat do të shtrihen në të gjitha lagjet e saj, teksa shtoi se transformimi ka prekur edhe fshatrat e njësisë.

Veliaj tha se Partia Socialiste i kushton një vëmendje të posaçme demokracisë dhe se koha kur jepet llogari para popullit vetëm një herë në 4 vjet kur voton, ka marrë fund. “Ne kemi një parti që llogaridhënien nuk e trajton si një sport një herë në katër vjet, por si diçka që duhet të bëhet përditë”, tha ai.

Në bashkëbisedimin me banorët e Njësisë Administrative Pezë, kryebashkiaku Veliaj i inkurajoi që të gjitha shqetësimet e tyre t’i shprehin nëpërmjet portalit për bashkëqeverisjen, ku do të marrin të vëmendjen e duhur.