Transmetuar më 13-05-2018, 14:27

Familja e kishte detyruar të martohej kur ishte vetëm 13 vjeçe dhe i shoqi e kishte përdhunuar në bashkëpunim me vëllanë dhe dy kushërinjtë e tij.

Kështu ajo vrau me thikë burrin që i kishin dhënë me zor, pasi nuk përballonte dot abuzimin e pësuar.

Pak ditë më parë Noura Hussein, 19 vjeçe, është dënuar me vdekje nga një gjykatë në Sudan. Por rasti i saj ka tërhequr vëmendjen në të gjithë botën, duke nisur fushata të shumta për shpëtimin e saj, e cila në kohën e krimit ishte vetëm një nuse-fëmijë.

Në vendin e saj është e ligjshme të martohesh në moshën 10-vjeçare dhe po ashtu lejohet që të përdhunosh gruan tënde.

Avokatët e saj, Adil Mohamed Al-Imam dhe Mohaned Mustafa Alnour, e kanë apeluar vendimin, ndërkohë që e reja ndodhet në një burg për femrat në Omdurman.

Avokatët thonë se nëse Apeli nuk do të rrëzojë vendimin e shkallës së parë të gjyqësorit, Noura do të varet.

Al-Imam tregoi për mediat se pas martesës në vitin 2012, vajza arriti të arratiset dhe të shkojë tek një tezja e saj, ende pa u konsumuar raporti. Por dy vite më vonë, prindërit e ridërguan tek i shoqi, moment kur dhe ndodhi përdhunimi, shkruan noa.al.

“Vëllai dhe dy kushërinjtë e të shoqit e mbanin për duarsh dhe këmbësh, ndërsa ai e përdhunonte dhe qëllonte. Kur ditën tjetër u përsërit e njëjta gjë, ajo nuk duroi dhe e qëlloi me thikë të shoqin”, tregon më tej avokati. /a.y/noa.al