Transmetuar më 12-05-2018, 14:25

Nga Spartak Ngjela

Pas skandalit që kryeministri Rama krijoi duke provokuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me çështjen e ministrit Xhafaj, ky kryeministër duhet të japë dorëheqjen.

Shqiptarët nuk mund të pranojnë kryeministër një enverist antiamerikan si Edi Rama.

l.

Nuk është i rastit qëndrimi i Kryeministrit shqiptar që flet sikur Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti amerikan të jenë pjesë e konflikteve të korrupsionit qeveritar shqiptar.

Çështja e ministrit të Brendshëm shqiptar, vërtet është sot edhe një çështje amerikane, por kjo nuk është një lodër fëmijësh, sepse realisht është një politikë e nivelit të lartë dhe jo pazar interesash korruptive të Edi Ramës.

Rama sot kuptohet se, njëlloj si gjithë korrupsioni i lartë shqiptar, është në konflikt me politikën amerikane dhe po kërkon prishjen e marrëdhënieve të ngushtë shqiptaro-amerikane.

Por nuk është as i rastit, dhe është shenjë e këtij konflikti, edhe qëndrimi i këtij kryeministri eksentrik drejt Stambollit dhe Erdoganit, kur e di që diktatori turk është kundër politikës amerikane dhe politikës gjermane në rajon.

Por, a ka arsye të tjera pse ekziston ky konflikt?

Arsyeja kryesore është që vetë Rama, i trembur nga Reforma në Drejtësi, ka filluar të kërkojë ndihmë sa në Stamboll e sa në Moskë. Dhe po bën çmos e po përpiqet që të dëmtojë aleancën shqiptaro-amerikane deri në shpërbërje të Shqipërisë

Shpërbërja e Shqipërisë është sot qëllimi kryesor i marrëveshjes esadiste Berisha-Rama.

Sigurisht kjo kuptohet që është ndërkohë politika e tij, por ky nuk mund të ketë forcë që të provokojë marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, sepse kështu del kundër interesit shqiptar dhe në favor të fqinjëve me politikë korruptive esadiste.

Esadizmi është doktrina politike e njeriut të korruptuar që, për të ruajtur gjënë e vjedhur, bashkohet me fqinjët për të shpërbërë Shqipërinë deri në inekzistencë.

Kjo është thembra e Akilit edhe në këtë provokim që Edi Rama i bëri politikës amerikane në çështjen e ministrit të Brendshëm, sepse kjo është arsyeja politike e binomit Berisha-Rama. Por është pikërisht kjo edhe arsyeja që menjëherë ky kryeministër duhet të japë dorëheqjen.

Po politika amerikane, a do t’ia kërkojë këtë? Jo vetëm që duhet t’ia kërkojë por, në të kundërt, përderisa të gjithë shqiptarët sot i ka me vete, politika amerikane duhet edhe ta rrëzojë këtë kryeministër që në delir dhe frikë po kërkon të prishë aleancën shqiptaro-amerikane drejt shpërbërjes së Shqipërisë.

Il.

Pas skandalit që krijoi, vetë Rama duhet të japë dorëheqjen, për të treguar se ajo që shqiptoi kundër politikës amerikane, nuk ka lidhje me politikën shqiptare por me atë vetë. Në të kundërt fundi i tij do të jetë shumë i keq.

Nëse ky nuk e bën këtë, atëherë politika amerikane është e detyruar që të veprojë ndërkombtarisht, sepse aleanca amerikano – shqiptare sot mund ta përmbysë çdo kryeministër apo çdo president shqiptar që është kundër saj.

Në këtë kohë historike, mbrojtja amerikane e Shqipërisë është domosdoshmëri, dhe është interes shumë i lartë kombëtar, për të gjithë shqiptarët e rajonit ballkanik.

Shqipëria sot është e kërcënuar realisht nga fqinjët greko-sllavë dhe nga vetë Rusia, prandaj kuptohet që një kryeministër aventurier që bashkohet me kërkesën e shpërbërjes së Shqipërisë, duhet të rrëzohet sa më shpejt.

Në të vërtetë kuptohet që provokimi antiamerikan i Edi Ramës kundrejt politikës dhe personalitetit ndërkombëtar amerikan, sigurisht që lidhet me aleancën që korrupsioni i lartë shqiptar, në të dy krahët e politikës aktuale, ka ndërmarrë kundër interesit kombëtar.

Rasti Rama e tregoi qartë që aleanca Berisha-Rama kundër reformës perëndimore në Shqipëri, është tashmë një fakt i hapur.

Por politika amerikane nuk mund ta pranojë këtë, se edhe shqiptarët afermendsh që janë kundër kësaj.

Edhe agresioni indirekt kundër ministrit të Brendshëm, duke thënë se "atë po e mban Amerika", është shenjë e frikës së tij dhe e veprimit të tij kundër Reformës në Drejtësi.

Po politika amerikane, a do ta denoncojë aktin politik antiamerikan të Edi Ramës?

Nëse ky nuk jep dorëheqjen, për të teguar të kundërtën, sigurisht që po. Precedenti historik i politikës amerikane për një rast si ky është një ashpërsi e tejshme që nuk mund t’i rezistojë dot asnjë kryeministër i një vendi aleat, i cili është në mbrojtjen ndërkombëtare amerikane.

lll.

Sot Shqipëria është në një situatë shumë delikate që në fakt ka të bëjë me fatin e vet historik perëndimor. Dhe ajo po kërcënohet hapur nga fqinjët të cilët po kërkojnë të mbështesin korrupsionin shqiptar.

Historia e këtij njëzetvjeçari e shtetit shqiptar, si qeverisje, ka qenë një korrupsion i paskrupullt. Janë katër qeveri shqiptare të këtyre njëzet vjetëve që janë përfshirë në një mënyrë skandaloze në korrupsion kryeministror.

Si rrjedhojë e kësaj sot, për faktin se vetë historia politike perëndimore e Ballkanit Perëndimor kërkon një Shqipëri të fortë dhe një albanizim të të gjithë botës shqiptare në Ballkan, vetë politika shqiptare duhet të jetë e pastër dhe e pakorruptuar.

Si pasojë e kësaj kërkese, korrupsioni kryeministror shqiptar duhet të likuidohet. Dhe ndërkohë ka filluar likuidimi i tij me anë të implementimit të Reformës në Drejtësi.

Në implementimin e kësaj Reformë, e cila është domosdoshmëri për futjen e vetë Shqipërisë në rrjedhën e qytetërimit perëndimor, sot politika amerikane dhe ajo gjermane po i japin shqiptarëve ndihmë të drejtpërdrejtë për të dalë nga kolapsi ku e ka futur korrupsion i liderëve të saj.

Kjo ndihmë konsiston edhe në hetimin dhe mbledhjen e fakteve kundrejt individëve konkretë të korruptuar në Shqipëri.

Sot këtij hetimi rigoroz i rezulton që katërshja Berisha, Rama Meta dhe Basha, bashkë me ish ministrat dhe drejtorët e tyre qeveritarë, të gjithë bashkë, janë përfshirë në një korrupsion grabitës që kap një shifër parash të identifikuar, e cila shkon deri në miliarda dollarë.

Ky është një turp historik kombëtar, por që ndërkohë është drejt likuidimit.

Pikërisht kjo arsye i ka hedhur të gjithë këta kundër politikës amerikane dhe Reformës shqiptare që po kërkon të implementohet.

Mu për këtë arsye, sot, politika amerikane dhe ajo gjermane duhet të mbajë një qëndrim drastik kundër kryeministrit Rama, duke vënë kushte të hapura kundër tij, nëse ky nuk jep dorëheqjen pas skandalit të fundit që u bë.

Duhet ta shprehim qartë se ngritja e çështjes së ministrit të Brendshëm nga Rama, në provokim të politikës amerikane, u bë me qëllim që t’i diskreditojë marrëdhëniet shqiptaro-amerikane si marrëdhënie vasaliteti. Por është tamam koha që këtij kryeministri turko-rus që po drejton Shqipërinë i duhet treguar vendi.

Sidomos edhe qëndrimi gjerman duhet të jetë shumë i fortë, sepse gjëndja financiare e qeverisë shqiptare sot është drejt falimentit.

Gjithsesi, shqiptarët këto ditë po presin qëndrimin amerikan dhe dorëheqjen e një kryeministri abuzues që po kërkon shpërbërjen e Shqipërisë.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al