Transmetuar më 12-05-2018, 10:20

Prej shume ditësh katër tenda me familje shqiptare janë vendosur në rrugën “Étienne Billères” të Komunës Haute-Garonne në Francë

 Bëhet fjalë për dy familje shqiptare me pesë fëmijë, të cilat presin këshilla për orientim rreth kërkesës së tyre për azil.

 Në Francë, shqiptarët janë ndër të parët që parashtrojnë kërkesa për azil në rrethinën e Tuluzit. Sipas kësaj komune, shifrat e tilla janë rritur fortë gjatë vitit të kaluar, në krahasim me një vit më parë.

Në vitin 2016, Shqipëria radhitej e para në Francë për kërkesa të azilit, me 7 432 kërkues të regjistruar nga autoritetet përkatës franceze.

 Disa hapa më larg janë vendosur shqiptarë të tjerë, me tenda të thurura nën ballkonet e francezëve. Familja Çupi e rrëfen fatin e saj: Dy vite e gjysmë në Lille, kërkesa e parë për azil i është refuzuar, më pas kthimi në Gjermani para se të rikthehen në Francë, shkruan “La Depeche”, njofton albinfo.ch.

Fillimisht në Dunkerque, e më pas në Tuluz prej tre javësh. Në brendinë e tendës dy vogëlushe të shqetësuara të moshës tre e pesëvjeçare. Njëra nga to është e lindur në Francë. Familja shpjegon se rregullisht i bie numrit telefonik 115, numër ky që u është dedikuar të pastrehëve, por asnjëherë deri më tani nuk kanë marrë përgjigje.