Transmetuar më 09-05-2018, 19:04

Nga Edi Rama

Një rilindës i madh shqiptar, Naim Frashëri, na ka lënë pas vargun që ne duhet t’ua këndojmë fëmijëve tanë, por edhe të gjithë miqve tanë europianë, sa herë na jepet mundësia:

“O dritëz e bekuar që lind nga perëndon!”

Është vargu që mishëron të tërë historinë e përpjekjes shumëshekullore të shqiptarëve për të qenë pjesë e asaj bote që ata e shihnin me sytë e imagjinatës së tyre, apo e kërkonin duke kapërcyer detin.

Shprehja që shqiptarët përdornin sa herë linin shtëpinë ishte:

“Po marr rrugën për në Europë!”

Në këtë shprehje përmblidhej ëndrra, shpresa dhe ambicia e çdo burri, e çdo babai, e çdo djali që linte shtëpinë duke marrë rrugën për në Europë, për të sjellë që andej atë çka shtëpia nuk mund dot ta kishte duke qëndruar e shkëputur prej andej.

Kështu kanë jetuar shqiptarët prej shumë shekujsh e deri më sot, në 9 Majin e vitit 2018, që flasim me këtë ëndërr, me këtë shpresë dhe me këtë ambicie. Ndërsa humnera e thellë shpirtërore mes tyre dhe Europës ka ardhur duke u ngushtuar, ngushtuar, ngushtuar.

Por përsëri edhe sot, edhe duke qenë Kryeministër i shqiptarëve, nuk është e vështirë ta shohësh hijen e humnerës, nëse të bie të takosh europianë të pabindur ndaj vlerave dhe parimeve që e ndërtuan Europën e bashkuar. Është aty, hija e humnerës, kur flet me deputetë parlamentesh të sotme europiane. Por fatmirësisht është vetëm një hije e asaj humnere, sepse humnera është shumë më psikologjike sesa faktike dhe vetëm pak javë më parë, Shqipëria ka marrë një mbështetje historike nga Komisioni Europian për të çelur negociatat, për ta mbyllur përfundimisht humnerën.

Natyrisht që si në të gjitha kohërat dhe rastet që na ka dhënë historia, nuk kemi pasur dhe nuk e kemi edhe sot, fatin që të jemi në sinkron, sepse sot, kur ne jemi tek dera, prapa derës jo të gjithë janë aq entuziastë dhe aq optimistë sa ishin për të ardhmen e asaj shtëpie.

Megjithatë, në 9 Maj të 1950-ës, Robert Schumann e parashikoi se Europa nuk do bëhet as me një shtënë dhe as në formën e një parafabrikati monolitik. “Ajo do të bëhet nëpërmjet realizimesh konkrete, duke krijuar pikë së pari dhe mbi të gjitha, – thotë ai, – një solidaritet faktik”.

E padyshim që, pavarësisht se ne na mbeten më shumë në mendje ata, fatmirësisht pak, që na kujtojnë hije e humnerës, teksa sot po flasim me entuziazmin tonë fëminor për Europën, ndërkohë që të shumtit janë ende në përpjekjen për ta bërë realitet, duke e përmbyllur projektin më vizionar dhe më të jashtëzakonshëm që njerëzit kanë mundur të imagjinojnë dhe të çojnë përpara, që është Bashkimi Europian.

Nëse do të përpiqeshim të gjenim në historinë e fuqisë së njeriut për të imagjinuar dhe në rezultatet e fuqisë së politikës për të vepruar, zor se do të gjenim një projekt më madhështor sesa Bashkimi Europian. Natyrisht, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë aspekt janë një tjetër projekt madhështor i fuqisë së njeriut për të imagjinuar dhe i fuqisë së politikës për ta kthyer në realitet një vizion. Por sot, ne jemi duke u përpjekur që të çelim negociatat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Mbase po të kishte negociata për t’u bërë pjesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të kishte qenë më e lehtë, sepse nuk do duhet të bindnim 27 koka.

Sot më vjen shumë mirë që të kujtoj se Presidenti i Këshillit Europian, para pak ditësh, këtu në Tiranë gjeti fjalët, jo vetëm më të mira, por edhe më të goditura për të na inkurajuar në këtë proces, kur tha se sot, ne jemi mbase shumë më europianë se të tjerë që janë pjesë e Bashkimit Europian dhe kur nënvizoi se “rekomandimi i fundit i Komisionit Europian për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit tregon që keni bërë përpjekje të mëdha dhe jeni gati të nisni një prej projekteve më pozitive politike në historinë e vendit tuaj”. Dhe nuk ka diskutim që për Shqipërinë sot, por për fëmijët tanë nesër dhe për fëmijët e fëmijëve të tyre, ky është projekti më pozitiv politik i imagjinueshëm, për të cilin ia vlen çdo sakrificë, ia vlen çdo përpjekje, ia vlen dhe i gjithë durimi për të dëgjuar edhe më të fundit fare që bëhet personazh dhe zë ekranet e lajmeve të para në Shqipëri ndërkohë që në vendin e vet nuk i bie radha kurrë të dalë në lajme.

Më vjen shumë mirë që ministri ynë për Europën dhe Punët e Jashtme ka pasur intuitën që këtë ditë ta lidhë me trashëgiminë kulturore, sepse ai është një europianist, jo vetëm i bindur, por edhe i mirëformuar, që ka kaluar në shumë korridore ku është folur gjuha e Europës. E ndër të tjera, ai e di shumë mirë që, gjithmonë e më shumë në Europë sundon një kriter i vlerësimit të përputhshmërisë mes Bashkimit Europian dhe vendeve që trokasin në dyert e Bashkimit Europian, që është kriteri i vlerave të trashëgimisë kulture.

Nga ana tjetër më vjen shumë mirë sot, të sjell këtu në vëmendje se Programi ynë Kombëtar, i shumë diskutuar dhe nganjëherë siç ndodh rëndom në Shqipëri me gjërat që bëhen, edhe i anatemuar, i Rilindjes Urbane, sapo është bërë me një vëlla të madh, me Programin Kombëtar “Zemra e Qytetit” të Presidentit Macron, 5 miliardë euro, për të ripërtërirë qendrat e qyteteve dhe qytezave të Francës.

Çka kanë të përbashkët këto programe nuk është natyrisht as përmasa dhe patjetër as edhe densiteti për metër katror i vlerave të trashëgimisë kulture europiane, sepse në të dyja këto, edhe pse është më i vjetër, Programi ynë është vëllai më i vogël, por kanë të përbashkët atë që ishte thelbësore për ne në Programin e Rilindjes Urbane, forcimin e lidhjes së brendshme me hapësirën publike europiane.

Sa duke vlerësuar trashëgiminë, aq edhe duke krijuar vlerë të shtuar, për t’iu dhënë njerëzve në komunitete hapësira ku të marrin frymë europianisht, në vend se të jenë të asfiksuar nga hapësirat që çojnë shumë, shumë më mbrapa në kohëra shumë të zymta të pazareve e të parkingjeve, dikur, siç thonë dhe fotografitë që ka zgjedhur Ditmiri, parkoheshin karroca mallrash, në kohën tonë parkoheshin Mercedes, por e njëjta gjë.

Më tutje dua të nënvizoj po ashtu, se besoj që rastësia në këtë rast është më hegeliane se shpeshherë shpata që hap rrugën e domosdoshmërisë, duke përputhur 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, flamurit tonë europian dhe vitit kur ne, jo duam, por duhet të hapim negociatat për anëtarësim.

Hapja e negociatave do të ishte edhe përputhja më e fortë simbolike, por jo vetëm, e një historie që sot, ne e kremtojmë me shumë krenari duke celebruar figurën e atletit të krishtërimit, siç u pagëzua Gjergj Kastrioti dhe siç mbase iu vjen mirë ta dëgjojnë edhe atyre që akoma thonë na duhet kohë të mendohemi a do t’i çelim, apo s’do t’i çelim negociatat me Shqipërinë; na duhet kohë të mendohemi a do ta njohim meritën e këtij populli dhe të këtij vendi, apo s’do ta njohim. Sepse merita mund të na qenka edhe një vlerë relative në bazë të momentit ku gjendet ai që është i thirrur ta njohë meritën dhe nuk na qenka vlera absolute mbi të cilën ngrihet e gjithë ngrehina e shoqërisë europiane ku ne duam të integrohemi.

Por, përsëri, për fat të mirë janë më pak sesa ata që marrin vendime. Dhe unë kam shumë besim që Bashkimi Europian nuk do të jetë i padrejtë me Shqipërinë, pasi ka angazhuar makinerinë më monstruoze të provimeve që ka globi, që është Komisioni Europian. Unë nuk di të ketë në botë një komision provimesh më monstruoz sesa Komisioni Europian.

Më vjen për të qeshur kur vijnë delegacione me “fact-finding”, vijnë në mëngjes dhe ikin pasdite, për të mbledhur fakte. Më takojnë mua, takojnë disa deputetë, takojnë edhe mikun tim të shtrenjtë me të cilin na bashkon, sigurisht në rrugë të ndryshme, dashuria për Holandën, Lulzim Bashën dhe largohen dhe mbledhin fakte.

Çfarë lloj faktesh mund të mblidhen brenda gjysmë dite, ndërkohë që Komisioni Europian është një ushtri ekspertësh dhe burokratësh të panumërt, që hanë fakte, pinë fakte, flasin fakte dhe dëgjojnë vetëm fakte! Si mundet të kontestohet, apo të thellohet raporti i kësaj ushtrie që është në terren çdo ditë, duke bërë fluturime gjysmë ditore, për të mbledhur fakte në takime me 5 politikanë!

Unë shpresoj që kjo nuk do të kthehet në trashëgimi kulturore e Bashkimit Europian. E shpresoj shumë dhe jam i prirur ta besoj që Bashkimi Europian këtë lloj praktike nuk do ta përfshijë në praktikat e mira të trashëgimisë së vet politike dhe kulturore.

Për ta mbyllur, sepse jemi në Ditën e Europës, Europa për ne ka qenë, është dhe do mbetet edhe për një kohë relativisht të gjatë tough love dhe besoj që premisa themelore e tough love është që të paktën kur kemi festën, i themi gjërat pa dorashka. Të paktën, kur mblidhen krushqit për të festuar dhe diskutojnë për martesën e ardhshme, i thuhen gjërat njëri-tjetrit, sepse në fund të fundit duhet të bashkohemi me të gjitha të vërtetat tona.

Jo për formalizëm, aq më pak për ndonjë virtyt diplomatik që unë nuk e kam, sa për fat të keq, aq edhe për fat të mirë, dua ta falënderoj nga zemra mikun tonë, Christian Danielsson dhe dua të falënderoj nga zemra të gjithë delegacionin që është këtu i pranishëm, jo për ç’na kanë bërë, por për faktin që duke na bërë atë që na kanë bërë, që na kanë nxjerrë, kur thonë shqiptarët, ujë të zi në të gjithë procesin për të pesta prioritetet, sinqerisht na kanë dhënë ndihmën më të madhe që mund të na jepej dhe na kanë dhënë po ashtu edhe provën e asaj që unë kam thënë, e them dhe do të them gjithmonë, përgatitja për të hapur negociatat dhe pastaj negociatat janë pa çmim. Janë udhëtimi përmes ferrit për t’ia dalë që të kemi një shtet modern, institucione funksionale dhe me pushtete të ndara që funksionojnë, siç thotë Kushtetuta, në jetën e tyre të përditshme.

Nuk ka asnjë kurë tjetër për Shqipërinë dhe për vendet tona, përveç kurës së rëndë të këtij procesi. Është procesi më i vështirë, është procesi më i mundimshëm, është procesi, po të doni, edhe më i pamëshirshëm, por është i vetmi proces.

Me mirënjohjen më të madhe për çka kanë bërë, ata kanë bërë punën e tyre, nuk kanë bërë punën tonë, nuk bëjnë kurrë punën tonë, vetëm punën e tyre, por me mirënjohje për çka ne kemi arritur falë punës së tyre, dua ta nënvizoj për të gjitha ata që na dëgjojnë, atë që kam nënvizuar çdo ditë dhe më shumë se njëherë në ditë gjatë gjithë këtyre ditëve, ka njerëz në Europë që akoma nuk e kanë marrë vesh se çfarë kërkojmë ne. Ka njerëz në Europë, politikanë, të cilët ngatërrojnë kërkesën tonë për të çelur negociatat, me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Politikanë që kujtojnë se do jenë aty gjithë jetën, ndërkohë që ka shumë gjasë që, kur të diskutohet anëtarësimi i Shqipërisë, ata të jenë të gjithë duke shkruar kujtimet.

Ajo që ne kërkojmë është vetëm të na japin pjesën e dytë të kurës. Kaq. Ne nuk po kërkojmë të zëmë një vend në tribunën VIP të stadiumit të Europës. Ne jemi akoma në procesin për të kuruar të gjitha sëmundjet tona të trashëguara dhe për t’u bërë gati, me shëndet të plotë demokratik dhe institucional, që të bëhemi pjesë dhe të hyjmë në atë stadium. Neve nuk mund të na mohohet kura. Neve nuk mund të na thuhet që prisni 1 minutë se ne kemi disa halle të tjera, se secili ka hallet e veta në këtë botë.

Nëse Presidenti Macron nënvizoi se “duhet fillimisht thellimi i reformës së Bashkimit Europian dhe pastaj zgjerimi”, ne jemi 100% dakord, vetëm se fjalisë i mungon pjesa tjetër: duhet thellimi i reformës së Bashkimit Europian dhe thellimi i reformave në Ballkanin Perëndimor, paralelisht. Kur Bashkimi Europian ta bëjë thellimin e vet dhe ne thellimin tonë, pastaj jemi gati që të flasim për bashkimin tonë me njëri-tjetrin përfundimisht dhe njëherë e përgjithmonë.

Kjo është e gjitha dhe Europa, Bashkimi Europian, Gjermania, Franca Holanda po e po, por dhe të gjitha vendet e tjera na detyrohen ne që të na japin mundësinë thjesht që të vazhdojmë thellimin tonë dhe na detyrohen ne, sepse i detyrohen vlerave, parimeve dhe vizionit që mishërojnë si vende, që mishërojnë si lidershipe sot për Europën dhe besnikërisë që i detyrohen në fund të fundit, etërve themelues. Mes etërve themelues të Europës nuk ka pasur asnjë shqiptar. Kanë qenë francezë, kanë qenë gjermanë, kanë qenë italianë, kanë qenë të tjerë. Dhe në emër të atyre etërve themelues, nipërit e tyre sot, që drejtojnë Europën, duhet të çelin negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

* Fjala e Kryeministrit në eventin kushtuar Ditës së Europës