Transmetuar më 08-05-2018, 20:04

Të gjitha aeroportet italiane janë përfshire sot nga një grevë e përgjithshme. Mbi 700 fluturime të kompanive të ndryshime ajrore janë anuluar e mes tyre dhe fluturimet nga Tirana në Itali apo nga aeroportet italiane drejt Rinasit. Kompania e fluturimeve Alitalia njoftoi anulimin e 231 fluturimeve kombëtare e ndërkombëtare mes të cilave dhe udhëtimet e programuara sot nga Tirana në Fiumicino, ai i orës 13.05 dhe ai i pasdites Tiranë-Romë i orës 17.10 min. Por gjithashtu konfirmohen dhe fluturime të anuluara nga kompani të ndryshme ajrore që udhëtojnë sot nga Tirana drejt aeroporteve të ndryshme italiane. Greva në nivel kombëtar i aeroporteve italiane është programuar të zgjasë nga ora 10.00 deri në mbrëmje.

Kjo grevë është organizuar nga grupet sindikaliste të kontrollorëve të fluturimeve si dhe të personelit të shërbimeve në aeroporte.

Motivi i grevës janë kontratat e punës për punonjësit e sektorit ajror si dhe investimet e parashikuara në planin industrial. Shoqëritë ajrore këshilluan klientët që sot udhëtonin drejt Italisë të informoheshin paraprakisht mbi fluturimin e tyre pranë agjencive përkatëse të udhëtimit.

Në aeroportin e Tiranës, nuk pati asnjë mbërritje gjatë ditës nga Italia.

Sakaq, Albawings pritet të sjellë udhëtarët në orët në vazhdim nga Ancona, Pisa në 20.45.

Blue Panorama pritet të sjellë pasagjerët nga Torino dhe Milano në 21.25. Ndërsa Alitalia në 23.20 nga Roma.

Sakaq nga Tirana u nis sot në 17.30 avioni i Blue Panorama me destinacion Torinon e drejt Milanos në 17.36.

Albawings nisi avionët e saj drejt Anconas në 18.18 dhe 3 minuta më herët, drejt Pisa.

Kompani të tjera nuk kanë fluturime sot nga dhe drejt Italisë. /noa.al/