Transmetuar më 08-05-2018, 19:51
Publicitet

Lista e Barnave të Rimbursueshme për vitin 2018 është tashmë në fuqi dhe nga dita e sotme 8 maj, është i mundur rimbursimi i barnave për të gjithë pacientët në nevojë, sipas listës së re të barnave.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, thotë se synon përmes listës së re të barnave, të shtojë vëmendjen drejt të gjitha kategorive të popullatës.

Lista e re e barnave të rimbursueshme, e cila ka nisur të aplikohet zgjeron gamën e medikamenteve të rimbursuara si dhe diagnozave që mbulon, duke bërë të mundur që 475 mijë qytetarë të përfitojnë barnat me rimbursim.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor pretendon kështu se rreth gjysmë milioni ose afro një e katërta e popullsisë mbulohet nga lista e re.

Megjithatë shumë njerëz thonë se listat e barnave të rimbursueshme vlejnë thuajse në çdo rast vetëm për pensionistët e fare pak për ata që derdhin rregullisht kuotat mujore të sigurimeve dhe nuk përfitojnë asgjë.

Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Eduard Ahmeti thotë se lista e re përmban 1175 alternativa tregtare, 568 barna alternativë të para dhe 244 principe aktive.

“Në listën e vitit 2018 janë përfshirë 36 barna te reja për diagnoza si insufiçence kardiake, kancer, hepatit C, demencë/alzheimer, diabet, etj. Këto barna, përmirësojnë dhe zgjerojnë trajtimin e pacientëve në shërbimet onkologjike, gastrohepatologjike, endokrinologjike, kardiologjike, psikiatrike, neurologjike etj. Padyshim risi është përfshirja në këtë listë e  herceptines, njëra formë e saj, e cila sëbashku me formën tjetër që sigurohet në QSUT arrin mbulimin 100% të nevojave të grave dhe vajzave për trajtimin e kancerit të gjirit”, thotë Ahmeti.

Drejtori i Fondit pretendon se është ulur çmimi i barnave krahasuar me listën e mëparshme:

“Përveç shtimit të numrit të barnave të LBR 2018, vlen të theksohet se çmimet e miratuara janë ulur me rreth 11% krahasuar me çmimet e listës së mëparshme, duke sjellë kështu mundësinë për zgjerimin e listës së rimbursueshme dhe në përfshirjen e diagnozave të reja që më parë nuk ishin mbuluar”, thotë drejtori i FSDKSH.

Ndërkohë krahas uljes së  çmimit të barnave është rritur vlera e financimit për rimbursimin e barnave. FSDKSH financon rreth 10.4 miliardë lekë për rimburismin e barnave dhe përfitues janë rreth 475,000 qytetarë. Vetëm nga barnat e reja do të përfitojnë rreth 10 mijë qytetarë.

Sa i takon procesit të kontraktimit me subjektet farmaceutike, drejtori i Fondit thotë se “nuk ka asgjë të pazakontë në këtë proces dhe kontratat po lidhen normalisht”, duke shtuar se “procesi pritet të përfundojë brenda dy javësh”. /noa.al/

Lista e Barnave

Lista e Barnave të Rimbursueshme 2018

Lista e Barnave të rimbursuara që tregtohen në farmacinë e spitaleve rajonale 2018