Transmetuar më 08-05-2018, 10:51

Kryeministri Edi Rama thotë se përkrahja e agroturizmit ka si synim zhvillimin dhe nxitjen e një rrjeti agroturizmi, duke u nisur nga shembuj të shkëlqyer që siç tha ai janë në Lezhë.

Duke folur sot nga Lezha gjatë prezantimit të projekteve për zhvillimin rajonal, ai garantoi lehtësira fiskale për agroturizmin, me garancinë që kontributet në sistemin tonë të taksave, do të jenë shumë më të ulëta nga sa janë sot.

Sipas tij, agroturizmi është një potencial i madh për zonat ku duket se bujqësia dhe zhvillimi i fermave dhe blegtorisë mbetet një sfidë e vështirë, por ku natyra është e mrekullueshme, tradita e jashtëzakonshme dhe prirja e njerëzve për të kthyer mikpritjen në një biznes është e admirueshme.

“Këtu kam parasysh jo vetëm këtë zonë, po edhe Mirditën ku ka stacione me një bukuri mahnitëse natyrore. Këtu kam parasysh edhe zona të tjera të Shqipërisë. Agroturizmi është një instrument shumë efikas i provuar dhe stërprovuar në vende të tjera, si një mënyrë jo vetëm për të dalë nga varfëria, por si një biznes fitimprurës”, u shpreh Rama.

Ai tha se në paketën mbështetëse do të ketë ulje të TVSH për hotelet me 4 dhe 5 yje, në vetëm 6%.

Kreu i qeverisë deklaroi se mjafton të kesh një banesë në një zonë dhe natyrë të bukur, mjafton të ngresh një mikro-fermë në funksion të agroturizmit, duke e transformuar banesën apo ngritur një godinë tjetër me disa dhoma si hotel, për të pasur një biznes mjaft fitimprurës.

Rama komunikoi edhe vendimin për listën e 100 fshatrave që do të mbështeten me prioritet, ku tha se vetëm në Lezhë janë 5.

Kryeministri shtoi se janë 31 investime të nisura në territor që janë në punë e sipër, duke u ndalur në tre ndërhyrje të rëndësishme, duke veçuar rrugën lidhëse prej 3 kilometrash me plazhin e Shëngjinit.

Po ashtu ai tha se aksi Shëngjin-Velipojë, do i shërbejë turizmit me Malin e Zi.

Rama deklaroi se padurimi është i mirëkuptuar, ndërsa nënvizoi se një gjë nuk duhet harruar, se është kaluar një fazë shumë e vështitrë me mbushjen e gropës së madhe të borxheve që u gjet.

Këto borxhe tha ai, kanë bërë që një shumë e barabartë me shumën që do kishte mjaftuar për të bërë gjithë projektet, ka shkuar për shlyerjen e borxheve.

“Brenda majit ne do të çelim më në fund kantierin e Rrugës së Arbrit dhe do të fillojë dhe nuk do të ndalet më puna, deri kur të përfundoi aksi strategjik i asaj rruge që do e bëjë më në fund Dibrën, zonë të integruar me kryeqytetin dhe që do të çelë një potencial shumë të madh edhe për zhvillimin e agroturizmit në të gjithë atë krahë që lidh Tiranën me Dibrën dhe që ka bukuri përrallore të paprekura dhe që shumëkush nuk i ka parë dot për shkak të mungesës së rrugës”, u shpreh.

Sipas tij rruga Milot-Balldren, pritet të fillojë deri në muajin shtator, ndërsa u ndal edhe në aksin tjetër strategjik, Thumanë-Kashar që do të bëjë të mundur që gjithë komunikimi mes Lezhës, Shkodrës, Kukësit dhe atyre që vijnë nga Kosova për në Tiranë, të jetë tërësisht me standarde të tjera.

Rama u zotua se rrugët do të jenë me standarde të mirëfillta, ku nuk do të ketë më gara se kush do të kalojë përpara, rruga apo mercedezi.

“Të gjithë ata që bëjnë atë teorinë e tmerrshme të ndarjes së veriut nga jugu dhe të na lënë ne faturën e një imazhi që sikur jemi më pak të interesuar për veriun, po ju them se pjesa më e madhe e programit 1 miliardë për rindërtim, u takon pikërisht këtyre territoreve veriore”, deklaroi Rama.

Ai sqaroi se nga ky fond do të financohet vetëm një aks në rrugë, segmenti nga dalja e Vlorës deri në tunelin e Llogarasë.

Rruga Milot-Lezhë-Shkodër, sipas tij do të zgjidhë një ngërç shumëvjeçar dhe do të garantojë lëvizshmërinë e tij, duke thënë se ky është një nga akset më të rrezikshëm të qarkullimit rrugor. /a.y/noa.al