Transmetuar më 07-05-2018, 16:12
Publicitet

Tirana nderoi sot me “Çelësin e Qytetit” një nga këngëtaret më të dashura për të gjithë shqiptarët, Nexhmije Pagarushën, e cila festoi edhe 85-vjetorin e lindjes. E njohur si bilbili i Kosovës dhe mbretëresha e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha u prit në Bashkinë e Tiranës në një ceremoni të veçantë, ku kryebashkiaku Erion Veliaj i dha “Çelësin e Qytetit”, në shenjë mirënjohje për gjithçka ajo ka bërë për muzikën dhe artin shqiptar.

Veliaj e cilësoi Pagarushën si simbol i pakontestueshëm i artit, kulturës edhe i asaj çka përfaqëson Shqipëria dhe shqiptarët.

“Me këtë nderim në emër të qytetit të Tiranës, jo vetëm i japim ‘Çelësin e Qytetit’, por edhe mirënjohjen tonë të thellë për një kohë kur të ishe artiste ishe në fakt përfaqësuesja më e denjë e të gjitha aspiratave të kombit tonë. Sot i japim ‘çelësin e shtëpisë’ Nexhmije Pagarushës sepse mendojmë që kjo shtëpi, është edhe shtëpia e saj”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Këngëtarja Nexhmije Pagarusha, e emocionuar për pritjen, falenderoi kryebashkiakun për “Çelësin e Qytetit”, duke shtuar: “Edhe juve ju falenderoj shumë se kurrë s‘më harroni, më çmoni dhe më doni kaq shumë. Gëzohem kaq shumë që e marr këtë çelës, se ndoshta nuk e meritoj. Tash kush do me ardh në Tiranë, le të vijë tek unë. Eh, ta kishim pasur këtë çelës më përpara dhe i lutem zotit që të jetoj sa më gjatë që ta shijoj”, tha ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha. 

Kreu i Bashkisë së Tiranës shtoi se Nexhmije Pagarusha dhe këngët e saj janë trashëgimia më e mirë që i lihet brezit të sotëm, për të njohur të shkuarën e Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar. /k.k/noa.al/