Transmetuar më 06-05-2018, 12:43
Publicitet

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj zhvilloi dy takime në kuadër të Turit të llogaridhënies publike “Puna për Shqipërinë që Duam”.

Ahmetaj u ndal fillimisht në njësinë Lekaj të Bashkisë Rrogozhinë, i shoqëruar nga drejtuesit e institucioneve kryesore vendore.

“Është një iniciativë e re e Kryeministrit, ku qeverisja në të gjitha nivelet e veta që nga Kryeministri, Ministrat deri tek drejtorët rajonalë dhe drejtorët lokalë, do t’i japin llogari këtij komuniteti për të gjitha ato që kemi bërë dhe për të gjitha ato që nuk kemi bërë dot, apo që do duhet të bëjmë në të ardhmen” – tha Ahmetaj duke shtuar se qëllimi i këtyre takimeve është ndarja e problematikave dhe shqetësimeve të komuniteteve për cështje që mund dhe duhet të përmirësohen nga qeveria dhe institucionet vendore.

Ministri theksoi se gjatë katër viteve të mandatit të parë janë ndërmarrë reforma të rëndësishme në sektorët kyçë, por ende shumë çështje mbeten për t’u adresuar.

Në katër vitet që kaluan janë krijuar mbi 220 mijë vende të reja pune, ka akoma shqiptarë që janë të papunë dhe ju e keni dëgjuar të gjithë që kryefjala e Qeverisë Rama është punësimi. Sot në Shqipëri janë rreth 18 mijë vende të lira pune. Sfida është që tashmë që kemi kemi kaluar në një nivel të ri, të përputhim aftësitë, me kërkesën nga sipërmarrje për aftësi. Kjo është një nga sfidat që qeveria e ka vendosur si prioritet në strategjinë e punësimit që Qeveria Rama në mandatin e dytë po bën” – tha ministri.