Transmetuar më 06-05-2018, 09:43

Shkrimtarja e njohur Flutura Açka ka dhënë sot lajmin e dhimbshëm për familjen e saj.

Ajo ka njoftuar ndarjen nga jeta në moshë të re të djalit të saj të vetëm.

Djali i shkrimtares Açka, vuante nga një sëmundje e rrallë që e kishte prekur kohët e fundit.

“Nuk është e lehtë për një nënë ta lyejë bojën me të zezë për të tillë lajm, as ta pranoj humbjen e qenies më të dashur që pata, dhe kam, mbi këtë dhé”, shkruan ajo me pikëllim në llogarinë e saj në Facebook.

Postimi i plotë:

Miqtë e mi,

Mbrëmë, në një orë të vonë të natës, u nda nga jeta Biri im i vetëm, Jerin van den Brink, në të tetëmbëdhjetat e tij, prej një sëmundjeje shumë të rrallë, nga e cila vuajti kohët e fundit. Nuk është e lehtë për një nënë ta lyejë bojën me të zezë për të tillë lajm, as ta pranoj humbjen e qenies më të dashur që pata, dhe kam, mbi këtë dhé. Me drojën se nuk do të mësohem kurrë me mungesën e tij, uroj të dëgjoj vetëm lajme të mira prej jush. Sipas dëshirës së Jerinit, ceremonia e lamtumirës do të mbahet me një rreth të ngushtë familjar e shoqëror në Utrecht të Holandës, ku im Bir jetonte prej disa vitesh, pas një fëmijërie të gjatë në Shqipëri. Për miqtë e mi në Shqipëri, do të jem në Atdhe përgjatë muajit qershor. Flutura./a.k/noa.al/