Transmetuar më 05-05-2018, 22:50
Publicitet

Në “Allianz Stadium”, Juventus ka fituar 3-1 ndaj Bologna dhe kur i kanë mbetur dy ndeshje nga fundit i kampionatit, prek me njërën dorë titullin kampion në Serie A, të shtatin radhazi, si askush tjetër në të kaluarën.

Një penallti e dyshimtë, por e konfirmuar edhe nga VAR i dha avantazhin Bologna, pasi Simone Verdi mposhti Gianluigi Buffon nga pika e bardhë e 11 metrave. Tetë nga nëntë golat në këtë edicion të Serie A, Verdi i ka shënuar në pjesën e parë.

Gjithsesi, sipas Telesport, në minutën e shtatë të pjesës së dytë, një autogol i Sebastian De Maio i dha barazimin “Zonjës së Vjetër”. Kur u mbush një orë lojë, Sami Khedira largoi “makthin” nga skuadra e Allegri, duke realizuar golin e dytë për vendasit. 20 minuta para fundit, goli i 22-të i Paolo Dybala në këtë kampionat i çoi shifrat në 3-1.

Juventus ka shtatë pikë më shumë se Napoli i vendit të dytë, që do të luajë nesër ndaj Torino. Të mërkurën, Juve do të ndeshet me Milan në finalen e Kupës së Italisë, veprimtari të cilin e ka fituar 12 herë, tre herë radhazi.