Transmetuar më 04-05-2018, 14:49
Publicitet

E pranishme në Forumin Qytetar për Sigurinë në Lezhë, ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin u përball me një deklaratë të pazakontë.

Myftiu i Lezhës, Agim Tereziu, i kërkuar zyrtares së lartë që të mbështesë rikthimin me vdekje në vendin tonë, edhe pse është e ndaluar në Bashkimin Europian.

Ai iu referua ngjarjes së pak ditëve më parë, ku në Kamëz mbeti i vrarë pronari i një marketi, duke thënë se nëse ambasadorja e mbështet komuniteti dhe organizatat joqeveritare do të lobojnë në Parlament për ta votuar.

“Duke përfituar nga rasti që kemi dhe Vlahutin sot, dua t’i jap një sugjerim mjaft të rëndësishëm lidhur me integrimin e Shqipërisë. Sa i takon dënimit me vdekje, akoma e ndjej atë dhimbjen e familjes Buci në Kamëz dhe dhimbjen e babait të atij djalit që u bë vrasës. Shqipëria është një rast i veçantë dhe në komunitetin europian duhet të pranohet si rast i veçantë, duke bërë këtë lëshim. Nëse rikthehet dënimi me vdekje do të zgjidhë dhe shumë plagë sociale që kanë mbërthyer vendin prej më shumë se dy dekadash, këtë kisha unë si sugjerim. Nëse ju jepni dritën jeshile, ne si Komunitet Mysliman dhe OJQ-të do të lobojmë tek Parlamenti që kjo të kalojë. Por nëse jepet drita jeshile prej jush”, tha Myftiu i Lezhës.

Përgjigjia e ambasadores ishte e prerë dhe pa nënkuptime. Ajo tha se jeta e njeriut mbrohet nga shteti, dhe një propozim i tillë është i papranueshëm për BE-në.

“Ky është një sugjerim që bëhet, por duhet të dini se ka disa vlera themelore që do të thotë, jeta e çdo njeriu duhet mbrojtur. Ka një shtet të së drejtës për të cilin ne po përpiqemi shumë të ndihmojmë që të funksionojë. Është diçka për të cilin ne po punojmë fort që ju ta shihni se është i pranishëm, që ju t’i besoni këtij shteti të së drejtës, por në asnjë mënyrë nuk ka asnjë rast  "sui generis" që të mund të pranohet, dhe dënimi me vdekje është diçka që nuk pranohet nga BE”, tha Vlahutin, ndërsa të pranishmit duatrokitën për përgjigjen e saj.

Ndërkohë, Noa ka mësuar se propozimi i myftiut të Lezhës është qëndrim personal i tij, dhe jo i Komunitetit Mysliman Shqiptar. /k.k/noa.al/