Transmetuar më 02-05-2018, 11:57
Publicitet

Pas largimit nga “Portokalli” dhe pjesëmarrjes në “Kënga Magjike”, fati i ka buzëqeshur aktorit të humorit, Erion Isai.

Ai është emëruar drejtor i Teatrit të Kukullave, pas largimit të Monika Lubonjës.

Lajmin mbi marrjen e postit të drejtorit të Teatrit të Kukullave nga Erion Isai, e ka bërë të ditur sociologu Ergys Mërtiri.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Mërtiri thotë se emërimi i Erion Isait në këtë pozicion drejtues, ishte si shpërblim për qëndrimet e tij larg protestave për Teatrin Kombëtar.

Postimi i Mërtirit: “Artisti i madh Erion Isai, ai që ishte pro ndërtimit të 6 kullave në oborrin e Teatrit Kombëtar dhe kundër protestës për mbrojtjen e Teatrit, pasi protesta sipas tij qenka e politizuar, u zgjodh Drejtor i Teatrit të Kukullave, nga një njeri “jopolitik”, si Kryeministri Rama. Pra aktori që mbron artin nga politizimi imagjinar prej opozitës sakrifikon aktorllëkun dhe regjisorllëkun për drejtorllëk! Ironia është po aq therëse sa dhe realiteti. Kukullat e qeverisë e kanë qepur gojën për të mbrojtur teatrin, ndërsa Kryeministri di sesi t’i shpërblejë aktorët më të mirë në mbrojtjen e interesave të tij dhe oligarkëve. Erioni ndërkohë mund të bëjë të vetën duke shpërndarë dekorata të tipit “Master of puppets” ose “Toç Kuklle i Popullit” për ata artistë që mbajnë lart ndërgjegjen klasore dhe vetëdijen politike, siç bëri me Luftarin e madh që sot nuk indinjohet më si dikur për brekët e Violeta Manushit.” /a.y/noa.al