Transmetuar më 01-05-2018, 08:27

Një aksident tragjik është shënuar në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, ku një makinë e policisë ka përfunduar në lumë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Kosovë, teksa dy policët po udhëtonin nga Hani i Elezit për në Kaçanik, kur mjeti i tyre përfundoi në lumin Lepenc.

Kërkimet intensive nisën qysh gjatë natës dhe vijojnë ende, por nuk ka gjurmë nga dy policët Armend Trena dhe Malësor Dashi.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se ata kanë humbur jetën, të mbytur në ujërat e lumit, ndërkohë që kërkimet janë në vijim.

Deri më tani është nxjerrë vetëm makina me të cilën udhëtonin dy policët e stacionit të Kaçanikut, ndërkohë që nuk ka ende gjurmë nga trupat e tyre.

Armendi dhe Malësori prej pak kohësh ishin bërë pjesë e policisë, ndërkohë që ishin në orar pune në momentin e aksidentit. /a.y/noa.al