Transmetuar më 29-04-2018, 20:49

Nga Mero Baze

Ndodhi diçka interesante në Kuvendin e Partisë Demokratike, që ilustron gjithë fallcitetin e Lulzim Bashës. Dhe kjo ishte fillimisht, mënyra se si duartrokisnin Bashën, kur thoshte kam gabuar dhe mënyra se si fërshëllenin Eduard Selamin, kur thoshte të njëjtën gjë, pra që Basha ka gabuar.

Kur Basha përpiqej të arsyetonte ndryshimet në statut, foli dhe për “gabimet” e tij, për zgjedhjet që kishte bërë dhe vendimet e gabuara që kishte marrë dhe në sallë kishte duartokitje.

Kur Eduard Selami e kryqëzoi për të njëjtat gabime, u fërshëllye dhe u kërkua të zbohet nga salla.

Ky është një detaj i thjeshtë që tregon së pari se Lulzim Bashës, edhe të vetët, ja pranojnë gënjeshtrën si normalitet dhe e lejojnë ta thotë atë, pa u bërë përshtypje. Në një farë mënyre ja pranojnë atij fallcitetin, dhe lehtësinë me të cilën detyrohet të gënjejë në çdo rast, pasi ja quajnë pjesë të karakterit të tij.

Ndryshe nuk ka kuptim përse duhet të gëzoheshin kur ai thoshte “kam gabuar”, përveç rastit kur e dinë që e thotë kot.

Kur të njëjtën gjë e përsëriti Eduard Selami ju turrën, pasi ata realisht mendojnë që Basha ka bërë mirë dhe se nuk ka bërë gabim që ka vepruar ashtu. Ata punëtorët e Kunatit në sallë, kanë pranuar si gjest normal aktet politike të Bashës dhe nuk pranojnë që askush t’ia thotë atë publikisht si gabim, përveç Bashës, të cilin e konsiderojnë si njeri që e thotë për të gënjyer të tjerët, jo ata.

Nga ana tjetër agresiviteti maksimal ndaj Eduard Selamit zbulon dhe fytyrën e vërtetë të Lulzim Bashës ndaj kritikëve të vet dhe tallja me statutin e ri të PD.

Eduard Selami nuk ngjan me kritikët e tjerë të Bashës. Ai ka qenë shumë institucional në kritikat e tij, ka pranuar të hyjë në një garë fallco dhe të manipuluar edhe në sytë e tij, nga fillimi në fund. Ai është përjashtuar nga lista pa bërë asnjë koment personal dhe po ashtu ia kanë vjedhur votat e filmuara me orë të tëra dhe ka pranuar rezultatin për “hir të partisë”. Në një farë mënyre Eduard Selami edhe për shkak të stilit të tij amerikan, është nga ata kundërshtarë që duhet ta kërkosh me qiri ta kesh, pasi sidomos në raport me Bashën, ai nuk është sjellur si kundërshtar, por si ilustrues i kundërshtarit.

Në fjalimin e sotëm ai ishte dinjitoz dhe i qartë për të treguar gjithë çfarë ka ndodhur dhe atij ju vërsulën si në vitin 1995, kur nuk e lanë të hynte as brenda në sallë.

Sjellja ndaj tij në sallë gris çdo lloj statuti dhe çdo lloj maske të Lulzim Bashës, pasi është prova se sa i pranon kundërshtarët dhe kritikët ajo parti.

Përfytro të ishte në sallë Topalli dhe t’iu kishte thënë që ky është Kuvend i mbushur me punonjës të Kunatit, apo Patozi e Bregu që kanë rezerva shumë më të mëdha për të. Me siguri do t’i kishin zbuar jashtë me karrige.

Janë pikërisht ato fërshëllima që bënë të skuqej dhe kryeregjisori i tyre Sali Berisha, i cili u largua nga salla, duke mos dashur të ngjallte kujtime të hidhura nga ngjarje të ngjashme në PD, në kohën e tij. Janë ato fërshëllima që e bëjnë pa kuptim për PD statutin, Kuvendin dhe gjithë teatrin e Lulzim Bashës. Ato janë “shpata që u rri tek koka gjithë armiqve” të Kryetarit. Ata kanë kuptuar përse i duhet statuti kryetarit dhe thjesht i vërsulen çdo armiku të tij. Ato fërshëllima janë himni i vërtetë i PD dhe statuti me të cilën Lulzim Basha po kërkon të mbrohet nga kundërshtarët e vet. Dhe kur mendon se armiku më i madh i Lulzim Bashës nuk janë kritikët e tij, por humbjet e tij, këto fërshëllima ngjajnë si marshi funebër i PD.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al