Transmetuar më 27-04-2018, 11:02
Publicitet

Gjatë një takimi me biznesin e vogël në lidhje me TVSH-në, ministri i Financave, Arben Ahmetaj u shpreh se me udhëzim të kryeministrit nuk do ketë gjoba për deklarim të gabuar deri më 31 dhjetor.

“Kryeministri ka kërkuar që të ketë një kujdes të veçantë gjatë periudhës që deklaroni për herë të parë. Nuk do ketë asnjë gjobë deri në 31 dhejtor për deklarim të gabuar. Ka qenë udhëzim i kryeministrit dhe ne e kemi kthyer në urdhër për drejtorinë e tatimeve”, u shpreh ministri.

Ahmetaj tha se bizneset do informohen nga administrata tatimore se si bëhet deklarimi.

“Nga ulja e dyshemesë preken rreth 9775 biznese. Këto sipërmarrje të vogla po vizitohen për t’u informuar në detaje si bëhet deklarimi. Janë mbi 600 sipërmarrje që vizitohen rregullisht. Ne kemi hapur një kënd informimi për çdo sipërmarrje të vogël, për çdo paqartësi që përveç vizitave për vizitorët vetëm për t’ju ndihmuar dhe bërë pyetjet tuaja ju mund të shkoni atje.

Unë pata një bisedë dje me një nga përfaqësuesit tuaj dhe rreshtuam me të drejtë të gjitha ato probleme, halle dhe mbështetje që ka dhënë qeveria. Më vjen mirë që kryetari rreshtoi një nga një që nga momenti që kemi bërë taksën zero, ulëm nivelin, etj. unë dëgjova edhe problemet që ka sipërmarrja e vogël.

Kemi bërë një plan që së bashku të kemi 3-4 iniciativa dhe besoj që me biznesin e vogël që ne e shohim si një furnitor në ekonomi punësimi ne do kemi një bashkëpunim të thellë dhe të detajuar. Qëllimi ynë skanimi i biznesit të madh. Nga biznesi i vogël vjen 0.08 % e gjithë TVSH-së”, tha ministri.