Transmetuar më 26-04-2018, 21:37

Sot u zhvillua seanca dëgjimore në Komisionin e Apelit pranë UEFA-s, lidhur me dënimin disiplinor ndaj ekipit të Skënderbeut me përjashtim për një periudhë 10 vjeçare nga kompeticionet europiane dhe caktimin e një mase disiplinore financiare në vlerën një milion euro nga komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s.

Zyra e Shtypit e Skënderbeut ka reaguar pas seancës së sotme përmes një deklarate për mediat.

“Përfaqësuesit tanë ligjorë, kanë argumentuar sërish para trupave gjykuese të UEFA-s mospërfshirjen dhe pafajësinë e plotë të klubit në veprimtaritë e pretenduara nga Inspektorët e Disiplinës të UEFA-s”, thuhet në reagimin e klubit.

Më tej, sqarohet se në dëshmitë e dhëna, lojtarët dhe ish-lojtarët kanë mohuar kategorikisht të jenë përfshirë në trukime ndeshjesh.

“Në seancën e zhvilluar sot në Lozanë, para panelit kanë dëshmuar pjesatarë të stafit drejtues, lojtarë aktualë dhe ish lojtarë të Skënderbeut, të cilët kanë mohuar kategorikisht akuzat e ngritura nga inspektorët e UEFA-s”, vijon deklarata.

Në fund, klubi i Skënderbeut jep edhe një parashikim për këtë proces, duke theksuar se nuk ka besim te UEFA, por drejtësinë do ta japë CAS.

“Duke marrë në konsideratë egzistencën e një marrëdhënie institucionale ndërmjet organeve gjykuese, Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ rikonfirmon edhe njëherë mosbesimin për drejtësi në këtë fazë fillestare të proçesit dhe shprehim edhe njëherë bindjen e plotë se strategjia e ndjekur nga bashkëpunëtorët tanë do të japë rezultatet e pritura në CAS, (Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv)”, mbyllet deklarata./a.m./noa.al/