Transmetuar më 26-04-2018, 13:55

Presidenti Ilir Meta ishte sot i pranishëm në festën e shenjtë të Zojës së Shkodrës, duke marrë pjesë në meshën solemne të mbajtur në Kishën katolike të “Zojës së Këshillit të Mirë”.

Duke përkujtuar gjithashtu edhe 25-vjetorin e vizitës apostolike të Papa Shën Gjon Palit II në Shqipëri, Presidenti në fjalën e rasti, iu drejtua Arqipeshvit të Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafras si dhe besimtarëve të shumtë, duke thënë se dita kur Ati i Shenjtë, Papa Shën Gjon Pali II shkeli për herë të parë tokën shqiptare, e puthi dhe e bekoi atë, ka mbetur, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për botën mbarë, një tablo biblike, prekëse e madhështore, që nuk mund të shuhet kurrë nga kujtesa historike e kombëtare.

“Ndjenja e hakmarrjes është një ndjenjë që rrënon, këshilloi Ati i Shenjtë gjatë kësaj vizite dhe ndjenja e atdhetarizmit nuk duhet të degjenerojë në një nacionalizëm agresiv. Ky mesazh i madh ushqen brenda nesh ndjenjën e faljes, të tolerancës dhe të harmonisë, të dashurisë për njëri-tjetrin dhe të vetëpërmbajtjes. Koha provoi se nacionalizmi agresiv do të përgjakte popujt e Ballkanit duke lënë pas frikë, urrejtje dhe armiqësi të mëdha e plagë ende të pashëruara”, tha Presidenti gjatë fjalës së tij.

Ai shtoi se Ati i Shenjtë u bëri thirrje të gjithë popujve të Ballkanit për të hequr dorë nga intoleranca fetare, e cila jo shumë larg nga Shqipëria po përgjakte besimtarët myslimanë, katolikë dhe ortodoksë ndërmjet tyre. /a.y/noa.al