Transmetuar më 26-04-2018, 13:42

E gjithë skena e tentativës së grabitjes në një minimarket në Kamëz, ku mbeti i vrarë pronari dhe u plagos gruaja e tij, është filmuar nga kamerat e dyqanit.

Dy persona të armatosur dhe me kapele në kokë, u futën në market dhe kërcënuan çiftin, duke iu kërkuar paratë e xhiros ditore.

Por duke hasur në kundërshtimin për dhënien e parave, ata kanë qëlluar drejt bashkëshortëve, duke vrarë Agim Bucin dhe duke plagosur gruan e tij, Meritën.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, rezulton se grabitësit i kanë kërkuar lekët gruas, por kur ajo ka refuzuar, e kanë qëlluar në këmbë duke e plagosur.

Ndërkohë Agimi ka qenë jashtë dyqanit duke rregulluar arkat e frutave dhe perimeve dhe kur ka dëgjuar zhurmën, është futur brenda.

Ai ka rrëmbyer thikën me të cilën priste djathin dhe është sulur drejt tyre, por grabitësiit e qëlluan me armë.

Në dyqan ka qenë edhe djali 6-vjeçar i çiftit, i cili u fsheh poshtë banakut, duke arritur të shpëtojë. Aktualisht ai ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike, duke mos arritur të kapërcejë traumën, teksa pa prindërit të larë në gjak.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, në një minimarket në rrugën “OSBE” në Kamëz, ku si pasojë e të shtënave nga persona të armatosur mbeti i vrarë 52-vjeçari Agim Buci dhe u plagos bashkëshortja e tij Merita Buci 44 vjeçe.

Policia e Tiranës ka vënë në dispozicion 5 milionë lekë të vjetra për cilindo që jep informacion të vlefshëm për kapjen e autorëve. /a.y/noa.al