Transmetuar më 26-04-2018, 12:47

Anëtarët e opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ata të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë braktisur mbledhjen e Këshillit Bashkiak, mesditën e sotme.

Këshilltari demokrat, Kreshnik Çollaku deklaroi për mediat se në mbledhje janë 6 persona pa mandat këshilltari, ku denoncoi se me votat e tyre do të merren vendime të paligjshme.

Ai deklaroi se opozita në këshillin bashkiak të Tiranës, PD dhe LSI, kanë marrëdhënie të kushtëzuar me këshillin.

“Që nga korriku 2017 aty janë 6 njerëz me mandate të bëra nul nga Gjykata e Tiranës. Prania e 6 individëve hedh në erë legjitimin e këtij këshilli. Pse u duhet prania e 6 aktorëve që sillen si këshilltarë bashkie? Ua them unë. Për të votuar këto projekte. I pari: mafia e naftës kërkon të gllabërojë parkun ‘Rinia’. Pra do vendoset taksë për të luajtur fëmijët në bar. Ky vendim kërkon 3/5 e votave dhe hap rrugë shembjes së teatrit për të ngritur aty kulla”, deklaroi Çollaku.

Ai e cilësoi si kanibalizëm dhe maskaradë dhe se ky vendim kërkon 3/5 e votave në këshill.

“Ne do bëhemi barriere për të bllokuar këto projekte mafioze për qytetin. Në atë sallë janë 6 individë që s’kanë të drejtë të votojnë”, tha ndër të tjera Kreshnik Çollaku. /a.y/noa.al