Transmetuar më 26-04-2018, 09:41

E sotmja do jetë një ditë e rëndësishme për klubin korçar të Skënderbeut pasi sot do të dalin përballë Komisionit të Apelit të UEFA-s ku do të tregojnë pafajësinë e tyre.

Kjo lidhet me dënimin 10 vjeçar që institucioni më i madh i futbollit evropian ka dhënë për klubin shqiptar pasi akuzohen për trukim ndeshjesh.

Seanca dëgjimore do të mbahet në Nion të Zvicrës ku do të marrin pjesë në Komisionin e Apelit ku përballë trupit të UEFA-s do të shtrojnë edhe një herë pretendimet e tyre për të hedhur poshtë akuzat që vijnë nga organi më i lartë i futbollit europian.

Në këtë seancë dëgjimore do jenë edhe dy figura të njohura për Skënderbeun. Ish-kapiteni, Bledi Shkëmbi dhe mesfushori Sabien Lilaj, ndërsa do t’u bashkohet përmes një videokonference edhe Bakari Nimaga.

Pak ditë më parë Skënderbeu fitoi një tjetër çështje në KAS, përballë FSHF-së, duke iu rikther titulli kampion i Shqipërisë në sezonin 2016./m.sh/noa.al/