Transmetuar më 26-04-2018, 09:28
Publicitet

Patriarku rus Kiril, për tre ditë me radhë do të jetë Shqipëri. Vizita e tij do të mbahet nga datat 28 deri në 30 prill, ku do të takohet me kryepeshkopin Anastas Janullatos.

Kisha Ortodhokse Autoqefale e Shqipërisë bëri me dije paraditen e sotme do të presë Patriarkun e Moskës dhe të gjithë Rusive, Kiril.

Të shtunën, më 28 prill 2018, ora 16:00, Kryepeshkopi Anastas, i shoqëruar nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë, do të presë Patriarkun Kiril në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Më pas do të vijojë dhoksologjia zyrtare në Katedralen e Hirshme “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.

Ditën e diel, më 29 prill, në mëngjes, të dy Primatët e Kishave do të bashkë meshojnë në Katedralen e Hirshme “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, me pjesëmarrjen e klerikëve tët ë dyja kishave.

Më pas, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të shtrojë drekën zyrtare.

Pasdite, ora 18:00, do të jepet shfaqja festive në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale. Në fillim do të kryhet prezantimi i botimit në rusisht të librit të Kryepeshkopit Anastas, “Deri në skajet e dheut”. Në Liturgjinë Hyjnore dhe në shfaqjen festive do të marrë pjesë edhe Kori Sinodal i Patriarkanës së Moskës.

Në mbrëmjen e së dielës, Presidenti Ilir Meta, do të shtrojë një darkë në Pallatin e Brigadave.

Të hënën, më 30 prill, Patriarku Kiril do të ketë takime zyrtare, në Selinë e Presidencës, me Presidentin Ilir Meta, si dhe në selinë e Kryeministrisë, me Kryeministrin Edi Rama.

Në fund do të vizitojë manastirin e Shën Vlashit, Durrës dhe Akademinë Orthodhokse Theologjike “Ngjallja e Krishtit”. Largimi i vizitorit të lartë parashikohet në orën 14.00, nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, ka vizituar zyrtarisht Kishën Orthodhokse të Rusisë më 1999. Në Moskë, në një ceremoni zyrtare në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale të Shpëtimtarit, Kryepeshkopi Anastas është nderuar me Çmimin “Për kontribut të shquar për unitetin e Orthodhoksëve” (2008).