Transmetuar më 26-04-2018, 08:46
Publicitet

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur fazën e parakualifikimit të tenderit për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas, duke i hapur rrugën realizimit të një projekti të rëndësishëm infrastrukturor.

Kjo fazë ju lejon operatorëve ekonomikë të interesuar të paraqesin aplikimet e tyre për përfshirje në listën e operatorëve,  të cilët më pas do të ftohet të tenderojnë për aktivitetin e prokurimit.

Ndërkohë që, kjo shpallje ndjek njoftimin e Përgjithshëm të Prokurimit për këtë projekt të bërë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila miratoi këtë vit edhe një shtesë të grantit në masën e  112 mijë euro për financimin e projektit konceptual për rehabilitimin e kësaj linje hekurudhore.

Sipas shpalljes së ministrisë, linja e rehabilituar Tiranë-Durrës do të lejojë një shpejtësi treni të paktën 100 km/h. Ndërkohë që, linja e re që synohet të shtohet, fillon në km e 27-të nga Durrësi dhe përfundon me një terminal pasagjerësh në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Operatorët ekonomikë, të interesuar për rehabilitimin e linjës ekzistuese dhe ndërtimin e linjës së re duhet të paraqesin kërkesën deri në datën 31 maj.

Ndërkohë që, pas përmbylljes së të gjitha procedurave, parashikohet që ndërtimi i këtyre dy linjave hekurudhore të zgjatë 30 muaj, transmeton ‘Scan’. Linjat e reja pritet të rrisin efikasitetin dhe sigurinë e transportit hekurudhor të mallrave e të udhëtarëve ndërmjet Tiranës, Durrësit dhe aeroportit të Rinasit dhe, në të njëjtën kohë, do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të zonës ekonomike  të rajonit të Durrësit, Tiranës dhe të gjithë vendit.