Transmetuar më 25-04-2018, 20:13

Historia e tij bëri mjaft bujë tetë vite më parë ndërkohë, emri i Eduard Belegut, i cili ka shërbyer si këshilltar i ish-ministrave Dritan Prifti dhe Genc Ruli, rikthehet sërish në qendër të vëmendjes.

Belegu u zhduk prej 23 marsit të vitit 2010, dhe nga ajo ditë nuk ka asnjë informacion për të. Sot pas tetë vitesh, bashkëshortja Ilirjana Belegu kërkon shpalljen e tij të vdekur.

Pas vitesh të tëra familjarët duket se e kanë humbur shpresën se mund ta gjejnë të gjallë atë.

“Shtetasja Ilirjana Belegu, e datëlindjes 2.7.1969, kërkon pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor. Tiranë, shpalljen të vdekur të shtetasit Eduart Belegu, i datëlindjes 21.2.1963” thuhet në kërkesën e bashkëshortes.

Belegu, ish-administrator i kompanisë së minierave “Darfo” u zhduk në Mars të vitit 2010, vetëm një muaj pas lirimit të tij nga qelia ku u mbajt për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën.

Ai u pa për herë të fundit pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Po atë ditë ai kishte planifikuar takim me një biznesmen për çështje borxhi. Sipas dyshimeve, ai u rrëmbye nga katër persona pas takimit me biznesmenin dhe prej atij momenti rezulton i zhdukur.

Ndërkohë, në nje mesazh të dërguar vëllait, Belegu shkruante: “Po më shqetësojnë prapë për ato problemet e vjetra”, “…mendoj të largohem disa ditë.

Pas këtyre mesazheve, vëllai i tij Gëzim Belegu tentoi të kontaktojë Eduardin por telefoni dilte i mbyllur./a.m./noa.al/