Transmetuar më 25-04-2018, 18:53

Një histori që ka befasuar policinë raportohet të ketë ndodhur në Tiranë.

Një vajzë 19-vjeçare i ka dhënë një shumë parash të dashurit të saj, e më pas ka bërë denoncim në polici për grabitje.

Shumën e lekëve ajo e mori nga familja dhe nga frika se mos zbulohej për të vërtetën, inskenoi grabitjen që nuk ndodhi kurrë.

E reja me inicialet D.P. iu drejtua policisë ku deklaroi se një person i kishte vjedhur paratë. Por, historia e treguar nga vajza nuk u duk bindëse për inspektorët e policisë.

Pasi ata kryen verifikime shtesë dhe ballafaquan informacionet kontradiktore të vajzës, vërtetuan e ajo ia kishte dhënë paratë të dashurit të saj, shtetasit me inicialet N.K. 21-vjeç.

Ky i fundit u mor në pyetje nga policia dhe pasi pranoi të vërtetën, dorëzoi paratë. Ndërkohë, partnerja e tij do të përballet tashmë me akuzën e kallëzimit të rremë./a.m./noa.al/