Bledar Jambelli, i kërkuar nga policia si porositësi i vrasjes së ish- kreut të Policisë së Vlorës Artan Cuku, dyshohet se fshihet në Spanjë.
Verifikimet e kryera, konfirmuan se deri para pak javësh ai qëndronte në kryeqytetin spanjoll në Madrid, shkruan TvKlan.
Për shkak se ai ka ndryshuar herë pas herë vendin e strehimit, dhe duke përdorur dokumente të falsifikuara, ka mundur t’i shpëtojë policisë.
Në Spanjë ai dyshohet se është ribashkuar me një grup shqiptarësh të përfshirë në trafik droge e vrasje.
Këto aktivitetet të paligjshme shkaktuan një luftë mes bandave shqiptare në Spanjë. Nga këto përplasje në vitin 2006, u vra Seldi Zanaj, në Barcelonë.
Për këtë krim u dyshua Sokol Rama. Në shenjë hakmarrjeje me 11 Nëntor 2006, në qendër të Vlorës, u vra oficerja e Marinës, Eleonora Rama 47 vjeçe, nëna e Sokol Ramës.
Tri javë më vonë, pranë Pusit të Mezinit, Bledar Jambelli në bashkëpunim me një person tjetër dyshohet se vrau për llogari të Sokol Ramës, Shpëtim Mukën, daja i vëllezërve Zanaj.
Në këtë atentat u plagos edhe nipi tjetër i Mukës, Edvin Zanaj, i cili u vra me 1 Nëntor të vitit 2007, në afërsi të maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë. Edhe në këtë vrasje dyshohet se është përfshirë Jambelli.
Arrestimi i tij, në vitin 2012, nga Policia e Vlorës që drejtohej nga Artan Cuku, mund të kishte çuar në dokumentimin e një serie vrasjesh mes dy grupeve. Pikërisht ky është edhe shkaku që mendohet se ka çuar Jambellin të porosisë vrasjen e Cukut.