Transmetuar më 25-04-2018, 14:39

Në karrierën e tij, Andres Iniesta ka bërë për vete miliona futbolldashës, me numrat prej kampioni, që te golat spektakolarë, por edhe asistet e panumërta dhe të pabesueshme, që ka dhuruar.

Gjithsesi, ajo që mund t’i mbetet pishman në një karrierë ku ka fituar thuajse gjithçka, është Topi i Artë, trofeu më i rëndësishëm në nivel personal për futbollistët.

Vetë France Football, në një editorial të shkruar nga Kryeredaktori i saj ,thekson keqardhjen, që ky trofe nuk ka shkuar asnjëherë për kampionin e madh spanjoll.

“Kur flasim për fituesit e Topit të Artë, mungesa e Iniestës është e dhimbshme edhe për ne. Shpresojmë në një paraqitje madhështore të Iniestës në Kupën e Botës, që të mund të synojë për herë të fundit këtë trofe. 

Në fund të fundit, mendojmë se Messi, pa Iniestën nuk do të kishte qenë Messi”, thuhet në editorialin e France Football, që jep trofeun më të rëndësishëm për futbollistët.

Mesfushori spanjoll është duke luajtur ndeshjet e fundit si lojtar i Barcelonës, por edhe në futbollin ‘e rëndë’. Iniesta duket se do të vijojë karrierën e tij në Kinë, ndonëse vetë ai ende nuk e ka konfirmuar.