Transmetuar më 25-04-2018, 12:47

Nën hetim në Spanjë për trafik droge, por Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur që të zhbllokojë pasurinë e vendosur nën sekuestro të biznesmenit Nikolin Janina.

Më konkretisht Janina, rezulton pronari i kompanisë “Porcelanosa”, për të cilin gjykata ka konkluduar pak ditë më parë se biznesmeni e justifikonte pasurinë.  

Kjo pasi bazuar në bilancet vjetore të kompanisë “Alba Ceramika”, ka rezultuar se pasuria është e ligjshme dhe nuk është fryt i përfitimeve të jashtëligjshme.

Biznesmeni i hidrosanitareve Nikolin Janina, rezulton pronar i kompanisë “Iberia invest” dhe “Alba Ceramika” sh.p.k, e njohur ndryshe si “Porcenalosa”.

Ndaj Janinës rezulton edhe një urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet spanjolle, ku akuzohet si i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.

Pas verifikimeve të rastit, lidhur me aksionin e nisur për të goditur pasuritë e ardhura nga krimi, prokurorja e Krimeve të Rënda, Doloreza Musabelliu, urdhëroi në shtator të vitit 2017 lëshimin e vendimit të sekuestros prenventive ndaj pasurive të dyshimta të Janinës.

Janina po hetohet në gjendje të lirë, ndërkohë që nuk ekstradohet dot në Spanjë, për shkak se mes Shqipërisë dhe shtetit ku kërkohet, nuk ekziston një marrëveshje ekstradimi.

Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda sekuestruan muaj më parë, një pasuri me vlerë 4 milionë euro, në pronësi të biznesmenit Janina.

Më konkretisht u sekuestruan katër apartamente në Tiranë, me një sipërfaqe 450 m2 dhe dy garazhe po në Tiranë, me një sipërfaqe 40 m2.

U sekuestrua edhe një apartament i ndodhur në Vlorë, me një sipërfaqe 65 m2.

Në vijim u vu nën sekuestro tokë e ndodhur në zonën e bregdetit Drimadhë, Porto Palermo, Llaman, Amallol në Himarë me një sipërfaqe totale 31.000 m2

Në total me një vlerë tregu pasuri të sekuestruar arrijnë vlerën 4 milionë euro. /a.y/noa.al

Të ardhura nga krimi, ky është biznesmeni që iu sekuestrua 4 milionë euro pasuri